Në qytetin Duran të Ekuadorit, një nga zonat më të goditura nga trafiku i drogës dhe lufta mes bandave rivale, kapiteni i policisë Jean Carlos Bustamante thotë se armiku nuk gjendet vetëm në rrugë, por edhe brenda institucioneve shtetërore.
Në një reportazh të publikuar nga BBC, oficeri pranon se korrupsioni ka depërtuar në radhët e policisë, administratës dhe politikës, duke e bërë edhe më të vështirë luftën kundër krimit të organizuar.
“Ne kemi shumë njerëz të këqij brenda njësisë sonë, brenda shtetit dhe politikës. Kemi shumë persona të korruptuar që paguhen nga bandat kriminale”, shprehet ai.
Sipas Bustamantes, të vetmit efektivë tek të cilët mund të ketë besim janë anëtarët e ekipit të tij të përzgjedhur. Në moshën 34-vjeçare, ish-anëtari i forcave speciale udhëheq operacione të përditshme në lagjet më të rrezikshme të Duranit, ku banorët jetojnë nën frikën e bandave dhe nuk guxojnë të bashkëpunojnë me policinë.
Gjatë një operacioni në një zonë të kontrolluar nga banda “Los Aguilas” policët bastisën një shtëpi të braktisur ku dyshohej se fshiheshin armë. Pas hyrjes me forcë, ata gjetën dy pistoleta, njëra prej tyre gati për përdorim, si edhe municione për një pushkë automatike.
“Arsyeja e parë është se jemi të sigurt. E dyta është se tashmë bandat kanë dy armë më pak”, tha kapiteni, duke pranuar megjithatë se kjo është vetëm një fitore e vogël në një luftë të gjatë.
“Bandat kanë shumë armë dhe shumë më tepër para sesa shteti”, shtoi ai.
Oficeri ka humbur tre miq të ngushtë gjatë përballjeve me grupet kriminale. Ai thotë se nuk ka më frikë për jetën e tij, por prindërit vazhdojnë të jetojnë me ankthin e përditshëm.
“Nëna më thotë të kem kujdes. Babai më telefonon vazhdimisht për t’u siguruar që jam mirë”, rrëfen ai.
Sipas presidentit të Ekuadorit, Daniel Noboa, rreth 70% e kokainës që mbërrin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kalon përmes Ekuadorit, duke e kthyer vendin në një nga nyjet kryesore të trafikut ndërkombëtar të drogës.
BBC thekson se kokaina hyn në Ekuador kryesisht nga Kolumbia dhe Peruja, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë. Më pas, bandat vendase, me lidhje me kartelet meksikane dhe grupet e mafias shqiptare, organizojnë transportimin e drogës drejt tregjeve evropiane dhe amerikane. Këto rrjete shfrytëzojnë kufijtë e dobët, forcat e pamjaftueshme të sigurisë dhe vijën e gjatë bregdetare të Ekuadorit në Oqeanin Paqësor.

Situata e sigurisë në Ekuador vazhdon të mbetet alarmante. Sipas Ministrisë së Brendshme të vendit, gjatë vitit të kaluar u vranë më shumë se 9.200 persona, duke e renditur Ekuadorin mes vendeve me normën më të lartë të vrasjeve në botë.
Kjo ndodh pavarësisht ofensivës së ashpër të ndërmarrë gjatë dy viteve të fundit nga presidenti Daniel Noboa kundër grupeve kriminale. Megjithatë, kritikët argumentojnë se strategjia nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Edhe pse disa nga drejtuesit kryesorë të organizatave kriminale janë arrestuar, bandat janë fragmentuar në grupe më të vogla, të cilat janë shtuar në numër dhe vazhdojnë të operojnë në territore të ndryshme.
Shumë banorë besojnë se lufta kundër krimit të organizuar është pothuajse e pamundur të fitohet. Megjithatë, kapiteni Jean Carlos Bustamante vazhdon operacionet e përditshme.
Në një tjetër aksion të dokumentuar nga BBC, ai përdor një dron për të monitoruar nga ajri rrugicat e ngushta të një lagjeje problematike. Nga pamjet dallon tre persona që, sipas tij, janë mikro-trafikantë, hallka më e ulët e zinxhirit të shpërndarjes së drogës, të cilët shesin doza të vogla në lagje.
Brenda pak minutash, Bustamante dhe ekipi i tij mbërrijnë në banesën ku ishin futur të dyshuarit. Policia hyn me forcë, ndërsa në banesë një grua kundërshton dhe një vajzë e mitur shpërthen në lot. Efektivët kontrollojnë çdo dhomë me elektrikë dore, pasi zona nuk kishte energji elektrike, duke hapur dollapë dhe duke kontrolluar poshtë dyshekëve.
Gjatë kontrollit, kapiteni gjen në një vazo lulesh disa pako të vogla letre me drogën e njohur si “H”, një përzierje shumë e varësisëshme që përmban sasi të vogla heroine. Sipas BBC-së, kjo drogë shitet nga shpërndarësit lokalë për 1 dollar paketa, duke u bërë një nga substancat më të përhapura në lagjet e kontrolluara nga bandat kriminale.







