Babai i Abdul Ballout, 21-vjeçarit të dyshuar si autor i sulmit vdekjeprurës në “Paradën e Krenarisë” në Berlin, ka deklaruar se djali i tij ishte radikalizuar dhe se i ishte “shpëlarë truri” për të përqafuar ideologjinë e organizatës terroriste ISIS.
Në një intervistë për të përjavshmen gjermane Der Spiegel, 64-vjeçari, i cili ndodhet në Liban, tha se kishte folur me të birin në telefon vetëm disa orë para sulmit.
“Ai më tha se i mungoja dhe se do të donte të ishte me ne në Liban”, u shpreh babai i të riut.
Ai mohoi çdo lidhje të familjes me ekstremizmin islamik, duke theksuar se ata janë myslimanë shiitë dhe nuk mbështesin ideologjinë e Shtetit Islamik.
“Ne jemi shiitë, nuk e mbështesim atë. Djali im kishte filluar të simpatizonte sektin sunit”, deklaroi ai.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë liruar një shtetas iranian, i cili ishte ndaluar fillimisht nën dyshimin se kishte lidhje me sulmin. Sipas hetuesve, provat e mbledhura nuk konfirmuan përfshirjen e tij dhe ai u la i lirë. Megjithatë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse Ballout veproi i vetëm apo kishte bashkëpunëtorë.
Sipas Prokurorisë Federale, 21-vjeçari ishte radikalizuar prej kohësh dhe kishte tentuar disa herë t’i bashkohej ISIS-it. Ai ishte arrestuar në Liban në vitin 2025 dhe, në maj të vitit 2026, ishte dënuar në Berlin me një vit e dhjetë muaj burg për planifikimin e një akti të rëndë dhune kundër shtetit. Pas lirimit, ai ishte vendosur nën masa mbikëqyrjeje dhe parashikohej të përfshihej në një program deradikalizimi.
Sipas hetimeve, Ballout kishte marrë me qira furgonin e bardhë që u përdor në sulm për të përplasur pjesëmarrësit e Paradës së Krenarisë në parkun Tiergarten, në qendër të Berlinit. Brenda automjetit, hetuesit gjetën edhe një telefon celular që lidhej me të.
Pas përplasjes së automjetit me një pemë, i dyshuari sulmoi disa persona me një hanxhar dhe u largua nga vendngjarja. Ai u lokalizua më vonë në një kopsht komunitar në lagjen Spandau, ku u qëllua për vdekje nga policia pasi, sipas autoriteteve, sulmoi efektivët gjatë operacionit.







