Një ngjarje e rëndë ka tronditur SHBA-në, ku një 47-vjeçar dyshohet se vrau gruan dhe gjashtë fëmijët e tij, i vuri qëllimisht flakën banesës dhe më pas kreu vetëvrasje.=
Christopher Karolkiewicz, 47 vjeç, bashkëshortja e tij Amanda “Maddie” Karolkiewicz, 39 vjeçe, si dhe gjashtë fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, u gjetën të pajetë në shtëpinë e tyre në Grand Haven Township, pranë Liqenit Michigan.
Sipas hetimeve paraprake, Christopher Karolkiewicz qëlloi fillimisht me armë zjarri gruan dhe fëmijët e tij. Më pas, ai dyshohet se ndezi disa vatra zjarri në pjesë të ndryshme të banesës, përpara se t’i jepte fund jetës duke qëlluar veten.
Policia u njoftua pasi banorët raportuan për tym të bardhë që dilte nga shtëpia. Ekipet e emergjencës iu deshën rreth tre orë për të lokalizuar burimin e zjarrit dhe për të hyrë në banesë, ku zbuluan trupat e tetë anëtarëve të familjes.
Disa prej viktimave u gjetën në dhomat e gjumit. Autopsitë konfirmuan se të gjithë kishin humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga armë zjarri dhe jo nga flakët.
Hetuesit besojnë se zjarri është vendosur qëllimisht në disa pika të shtëpisë pas vrasjeve, ndërsa po punojnë për të përcaktuar saktësisht se si nisi. Edhe kafshët shtëpiake të familjes nuk i mbijetuan zjarrit.
Sipas mediave amerikane, Christopher dhe Amanda u njohën në vitin 2008 në kompaninë ku punonin dhe u martuan në gusht të vitit 2009. Ata sollën në jetë katër fëmijë biologjikë dhe më vonë adoptuan dy vajza.
Megjithatë, pas fasadës së një familjeje të lumtur, duket se fshiheshin probleme në marrëdhënien e çiftit. Rreth tetë vite më parë, Christopher kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me një praktikante shumë më të re në vendin e punës.
Dy vite më parë, Amanda kishte rrëfyer në platformën Reddit vështirësitë e martesës së saj, duke treguar se bashkëshorti e kishte tradhtuar sërish me një praktikante. Në një nga postimet e saj, ajo shkruante se, pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, kuptoi se duhej të mbështetej te vetja për të vazhduar jetën.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie familjare.







