Stadiumi kombëtar “Air Albania” po përgatitet për një fushë tërësisht të rinovuar.
Projekti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka hyrë në fazën finale, pas një ndërhyrjeje të thellë që ka transformuar plotësisht sipërfaqen e lojës.
Puna ka nisur me rikonstruksionin e bazamentit të fushës, duke krijuar një strukturë të re dhe më të qëndrueshme, e cila garanton kushte optimale për zhvillimin e ndeshjeve në nivel të lartë.
Më pas është vendosur tapeti i ri hibrid, një teknologji moderne që kombinon rezistencën e barit sintetik me cilësinë e barit natyral dhe që plotëson kriteret e kërkuara për kompeticionet ndërkombëtare.
Aktualisht, fusha është në fazën e kujdesit teknik, ku specialistët po ndjekin nga afër rritjen dhe zhvillimin e barit natyral, për ta sjellë atë në gjendjen ideale për rikthimin e aktiviteteve sportive.
Sipas programit të punimeve, impianti i ri pritet të jetë gati gjatë muajit shtator dhe do të rikthehet në dispozicion për ndeshjet zyrtare.
Rinovimi i fushës së “Air Albania” është pjesë e planit të FSHF-së për ngritjen e standardeve të infrastrukturës sportive në Shqipëri, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 të vitit 2027, që Shqipëria do të organizojë së bashku me Serbinë.
Ky kompeticion do të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të zhvilluara në vend dhe një mundësi për të prezantuar Shqipërinë në skenën europiane.
Me përfundimin e këtij projekti, stadiumi “Air Albania” do të ketë një nga fushat më moderne në rajon, duke ofruar kushte të përshtatshme për kombëtaren shqiptare dhe për eventet më të rëndësishme ndërkombëtare.







