Qeveria ka miratuar kuadrin e ri rregullator për organizimin, zhvillimin dhe financimin e programit “Pas Shkolle” në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare publike (arsimi bazë dhe i mesëm i lartë).
Nisma synon konsolidimin e njohurive mësimore të nxënësve, si dhe zhvillimin e aftësive të tyre edukative, sociale, sportive, kulturore e krijuese jashtë orarit të detyruar mësimor. Vendimi i ri shfuqizon zyrtarisht VKM-në nr. 606, datë 14.9.2022.
Kategoritë e trajnuesve, nga mësuesit me kontratë te artizanët e zejeve
Programi ndahet në dy shtylla kryesore, ku përveç mësuesve të profilizuar, hapet mundësia e angazhimit edhe për kategori të tjera të kualifikuara:
Për përforcimin e të nxënit (lëndët kryesore):
Mësuesit e punësuar në shkollë (që kanë përparësi në përzgjedhje);
Kandidatët në listë pritjeje nga portali “Mësues për Shqipërinë”;
Ish-mësuesit në pension pleqërie;
Të diplomuarit në ciklin e dytë (Master) në fushën e mësuesisë.
Për aftësitë artistike, kulturore e praktike:
Mësuesit e profileve artistike dhe kandidatët e portalit;
Profesionistët në pension nga institucionet kulturore publike;
Të diplomuarit në fushën e arteve;
Artizanët dhe mjeshtrit e zejeve, të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bartësve të Folklorit ose të Trashëgimisë Jomateriale.
“Pagesa për çdo orë për zbatimin e programit ‘Pas Shkolle’ për trajnuesit është 1 000 lekë. Shpërblimi trajtohet si pagesë për shërbim të veçantë arsimor dhe nuk ndikon në ngarkesën mësimore të detyrueshme.”, sqaron vendimi.
Mënyra e aplikimit dhe procedurat e përzgjedhjes
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP) do të shpallë thirrjen zyrtare në faqen e saj, ndërsa kandidatët do të kenë 10 ditë afat për të aplikuar pas publikimit:
Mësuesit e punësuar aplikojnë përmes Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP).
Kandidatët e portalit aplikojnë në shërbimin elektronik te e-Albania.
Pensionistët, të diplomuarit e rinj dhe artizanët dorëzojnë dosjen fizike/zyrtare në Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) përkatëse.
Financimi, monitorimi dhe digjitalizimi
Financimi i programit do të mbulohet nga një fond i posaçëm buxhetor i akorduar çdo vit për ZVAP-të (ose drejtpërdrejt për shkollat me status të veçantë).
Nga ana tjetër, shkollat ngarkohen të administrojnë një portofol digjital të arritjeve të nxënësve pjesëmarrës. Ecuria e programit do të vlerësohet periodikisht nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit dhe AKAP-ja, duke analizuar frekuentimin, shtrirjen territoriale dhe rezultatet e arritura nga nxënësit.
Për vitin shkollor 2026–2027, aplikimi për mësuesit e klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të kryhet tërësisht në rrugë elektronike.







