Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë të Indonezisë, ku një pilot është arrestuar pasi në bagazhin e tij u gjetën më shumë se 70 mijë tableta ekstazi (MDMA), ndërsa analizat rezultuan pozitive edhe për kokainë dhe metamfetaminë.
Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara të hënën, tregojnë momentin kur piloti, shtetas malajzian, kalon kontrollin në aeroport. Gjatë inspektimit të bagazhit, punonjësit e aeroportit zbulojnë një qese me tableta ekstazi.
Sipas raportimeve, ai kishte me vete edhe një shishe me urinë, me të cilën dyshohet se synonte të manipulonte testin e drogës për të shmangur zbulimin e substancave narkotike.
Sipas informacioneve të publikuara nga Deutsche Welle, piloti 39-vjeçar, i identifikuar vetëm me inicialet MS, u arrestua menjëherë pasi kishte përfunduar një fluturim pasagjerësh nga Kuala Lumpur drejt Xhakartës, në mbrëmjen e 29 korrikut.
Megjithëse autoritetet nuk kanë bërë publik emrin e kompanisë ajrore ku ai ishte i punësuar, numri i fluturimit tregon se bëhej fjalë për një avion të Malaysia Airlines.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë gjetën 14 pako me tableta ekstazi në valixhen e pilotit, si edhe katër gramë metamfetaminë në bagazhin e dorës.
Sipas hetimeve paraprake, piloti kishte pranuar të transportonte lëndët narkotike pas kërkesës së një personi të paidentifikuar, kundrejt një pagese prej 12 240 dollarësh.
Autoritetet deklaruan gjithashtu se analizat e urinës rezultuan pozitive për metamfetaminë, MDMA dhe kokainë, duke ngritur dyshime se piloti kishte drejtuar avionin nën efektin e lëndëve narkotike.
“Fakti që ky person ushtron profesionin e pilotit është jashtëzakonisht shqetësues. Në momentin kur mbërriti, sapo kishte pilotuar një avion nga Kuala Lumpur drejt Indonezisë”, deklaroi një prej zyrtarëve që po hetojnë çështjen.
Nga ana e saj, Malaysia Airlines nuk ka komentuar drejtpërdrejt rastin, por në një deklaratë theksoi se kompania nuk toleron asnjë formë shkeljeje dhe se ka nisur një hetim të brendshëm.
Gjithashtu, bëri të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet përgjegjëse gjatë zhvillimit të hetimeve.








