Një 38-vjeçar është arrestuar nga autoritetet amerikane pranë fushës së golfit të presidentit Donald Trump në Kaliforni, pak ditë përpara një aktiviteti për mbledhje fondesh ku pritet të marrë pjesë kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit, Janin John Taele u konstatua duke lëvizur në ambientet e Trump National Golf Club Los Angeles, ku fotografonte dhe filmonte zonën, ndërsa vëzhgonte edhe përgatitjet e sigurisë.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, gjatë kontrollit u zbulua se 38-vjeçari mbante një armë zjarri dhe municione të ndaluara. Ai u arrestua pasditen e së dielës, ndërsa presidenti Trump ndodhej në Kaliforni për një darkë të Partisë Republikane për mbledhje fondesh, e planifikuar të zhvillohej të martën në të njëjtën fushë golfi.
Hetimet treguan gjithashtu se Taele ishte në kërkim nga Policia e El Segundo për një çështje grabitjeje. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një karikator me 16 fishekë të tipit hollow-point, ndërsa në automjetin e tij u sekuestruan një pistoletë e mbushur dhe një tjetër karikator me të njëjtin lloj municioni.
Autoritetet amerikane theksuan se ligjet e Kalifornisë ndalojnë karikatorët me kapacitet mbi 10 fishekë, ndërsa municionet hollow-point konsiderohen veçanërisht të rrezikshme për shkak të dëmtimeve të rënda që mund të shkaktojnë.
Një ditë pas arrestimit, agjentë të FBI-së dhe të Njësisë së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e të dyshuarit në Downey. Gjatë operacionit u sekuestruan një pushkë e modifikuar në mënyrë të paligjshme e tipit AR, një pistoletë kalibri .45, jelek antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, municione dhe disa blloqe shënimesh që, sipas autoriteteve, përmbanin “referenca shqetësuese”.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë ngritjen e akuzave të tjera.
Megjithatë, Zyra e Sherifit bëri të ditur se deri tani nuk ka prova për një kërcënim të besueshëm ndaj komunitetit dhe as indikacione se i dyshuari kishte planifikuar një sulm ndaj presidentit Donald Trump.
Ngjarja vjen në një periudhë kur masat e sigurisë për presidentin amerikan janë shtuar ndjeshëm pas disa incidenteve serioze të viteve të fundit.







