Shkencëtarët kanë publikuar pamje të reja spektakolare të sipërfaqes së Diellit, falë teleskopit më të fuqishëm diellor në botë.
Vëzhgimet zbulojnë për herë të parë vorbulla gjigante rrotulluese plazme, të cilat luajnë një rol kyç në formimin e të ashtuquajturit “mot hapësinor”. Zbulimi pritet të ndihmojë studiuesit të kuptojnë më mirë proceset që qëndrojnë pas shpërthimeve diellore dhe ndikimit të tyre në Tokë.
Rezultatet janë publikuar në revistën prestigjioze shkencore Nature dhe janë bërë të mundura falë Teleskopit Diellor Inouye, i vendosur në një lartësi të madhe në ishullin Maui të Havait. Kushtet jashtëzakonisht të favorshme atmosferike në këtë zonë u mundësojnë astronomëve të vëzhgojnë Diellin me një rezolucion që deri më tani ishte i paarritshëm.
Pamjet dhe videot e reja tregojnë vorbulla të plazmës së nxehtë që lëvizin në sipërfaqen e Diellit. Këto lëvizje shtrembërojnë dhe rrotullojnë fushën magnetike, duke grumbulluar sasi të mëdha energjie magnetike.
“Dielli është burimi i gjithë kësaj energjie dhe i motit hapësinor. Për të qenë në gjendje t’i parashikojmë më saktë këto fenomene në të ardhmen, duhet të kuptojmë fizikën e tij deri në shkallët më të vogla”, tha Dr. David Boboltz nga Observatori Kombëtar Diellor i Shteteve të Bashkuara (NSO).
Fenomeni që shkakton shpërthimet diellore
Gjatë studimit, shkencëtarët identifikuan një fenomen fizik të njohur si paqëndrueshmëria Kelvin-Helmholtz. Ai shfaqet kur dy shtresa të një lëngu ose gazi lëvizin me shpejtësi të ndryshme, duke krijuar vorbulla spirale. Një fenomen i ngjashëm vërehet edhe në oqeane, ku dallgët e vogla mund të zhvillohen në valë të mëdha dhe të fuqishme.
Në Diell, këto vorbulla prodhojnë energji magnetike që grumbullohet në shtresat e sipërme të atmosferës diellore. Kur kjo energji çlirohet, ajo shkakton shpërthime të fuqishme diellore ose hedhje të masës koronale, të cilat mund të përhapen në të gjithë Sistemin Diellor.
“Këto lëvizje rrotulluese krijojnë energji magnetike që mund të çojë në shpërthime të mëdha,” shpjegoi astronomi i NSO-së, Dr. David Kuridze.
Sipas studiuesve, këto fenomene janë shkaktari kryesor i motit hapësinor, i cili mund të ndikojë në komunikimet satelitore, sistemet GPS, rrjetet e energjisë elektrike dhe infrastrukturën tjetër kritike në Tokë. Gjithashtu, ato mund të rrisin rrezikun për astronautët që ndodhen në hapësirë.
Zbulimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt parashikimit më të saktë të aktivitetit diellor dhe mbrojtjes së teknologjive moderne nga efektet e tij.







