Debutim ëndrrash për Taulant Seferin. Sulmuesit të Kombëtares shqiptar i kanë mjaftuar vetëm 9 minuta, për të gjetur rrugën e rrjetën me fanellën e skuadrës së tij të re Kayserispor.
29-vjeçari tundi rrjetën në duelin ndaj Vanspor, të vlefshëm për javën e parë të Ligës së Parë turke, ku pas asistit të Saglam, përshëndeti rrjetën e portierit Uysal, duke e nisur kështu sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai nuk u mjaftua me kaq, teksa në minutën e 56-të kompletoi dopietën personale, sërish pas asistit të Saglam, duke e bërë mbrëmjen magjike.
Seferi iu bashkua Kayserisporit nga skuadra e Bodrumspor, ku edicionin e kaluar në 40 ndeshje shënoi 17 gola dhe dhuroi 7 asiste.







