Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur pjesë të Kolumbisë dhe Ekuadorit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe persona të plagosur në disa zona.
Sipas autoriteteve, lëkundjet janë ndjerë në një territor të gjerë, deri në Venezuelë dhe Panama. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) raportoi se epiqendra e tërmetit ishte pranë San Jose del Palmar, në Kolumbi, rreth 400 kilometra në perëndim të Bogotás, në një thellësi prej rreth 106 kilometrash.
Autoriteti i Aviacionit Civil të Kolumbisë njoftoi se janë raportuar dëme në aeroportet e Pereiras, Manizales, Quibdós, Armenias, Cartagos dhe Buenaventuras, ndërsa fluturimet janë pezulluar përkohësisht.
Guvernatorja e provincës Choco, Nubia Carolina Córdoba-Curi, tha se autoritetet janë të shqetësuara për mundësinë e pasgoditjeve. Ajo konfirmoi se në qytetin e Quibdós, kryeqendra e provincës, janë raportuar persona të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në ndërtesa.
Ekipet e emergjencave kanë nisur vlerësimin e dëmeve për të përcaktuar përmasat e plota të pasojave.







