Nga Bujar Leskaj
Rama dhe sekti i tij në pushtet, me papërgjegjësi ekstreme dhe lojën oklte me oligarkët e vet, i kanë vënë vlonjatët dhe të gjithë Shqipërinë përpara një situate shumë të rrezikshme.
Nëse mosmarrëveshja për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës përfundon në arbitrazh ndërkombëtar, Shqipëria nuk do të përballet vetëm me pyetjen nëse koncesionari ka përmbushur apo jo detyrimet e tij kontraktuale.
Një gjykatë e arbitrazhit ndërkombëtar, e cila ka parë, për fat të keq, edhe në raste të tjera sjelljen e papërgjegjshme të Ramës dhe klonëve të tij në pushtet, do të shqyrtojë në mënyrë shumë më të gjerë dhe në detaje sjelljen e shtetit shqiptar gjatë gjithë jetës së koncesionit, nga data 21 nëntor 2021 e nënshkrimit të tij e deri më sot.
Do të analizojë mënyrën se si institucionet e shtetit shqiptar kanë administruar kontratën, nëse kanë respektuar detyrimet e tyre dhe nëse vendimi për zgjidhjen e kontratës ka qenë proporcional, i arsyetuar dhe në përputhje me marrëveshjen.
- Çfarë bëri shteti shqiptar për ta shpëtuar koncesionin dhe investimin strategjik?
Vërtet koncesionari nuk e ka realizuar në kohë projektin për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, por arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të pyesë: A u vu koncesionari në kushtet për ta realizuar në kohë projektin nga shteti shqiptar? A u mbrojt investimi i huaj?
Kompania “Mabco” e sipërmarrësit të njohur Behxhet Pacolli, është themeluar në vitin 1978 në Zvicër, është rregjistruar atje dhe e ka selinë në këtë shtet. Dhe Shqipëria ka një marrëveshje me Zvicrën për mbrojtjen e investimeve të huaja reciproke që daton që nga viti 1992.
Arbitrazhi ndërkombëtar do të pyesë gjithashtu: Çfarë bëri shteti gjatë gjithë kësaj periudhe? A i përmbushi ai vetë detyrimet e tij? A ndërhyri në kohën e duhur? A e monitoroi kontratën koncesionare? A krijoi kushtet për realizimin e investimit? Dhe, mbi të gjitha, a ishte zgjidhja e kontratës masa e fundit dhe e justifikuar, apo një vendim administrativ i marrë, pasi projekti ishte futur tashmë në krizë?
Shteti ynë ka dhënë garanci të rëndësishme financiare, ka marrë përsipër detyrime të caktuara dhe ka krijuar pritshmëri të forta për investuesit në konsorcium, lidhur me mbështetjen institucionale të projektit. Patjetër që shteti dhe qeveria kishin një rol aktiv në realizimin projektit dhe investimit.
Qeveria nuk mund të theksojë vetëm detyrimet e koncesionarit investues dhe të harrojë detyrimet e veta. Kontrata koncesionare ka vendosur një ekuilibër të caktuar ndërmjet të drejtave dhe detyrimeve të palëve dhe arbitrazhi ndërkombëtar do të shqyrtojë nëse ky ekuilibër është respektuar.
Në veçanti, nëse shteti ka miratuar një projekt me një strukturë garancish financiare, sikurse është rasti i kontratës koncesionare të ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, por më pas nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar funksionimin normal të marrëdhënies kontraktore, arbitrazhi ndërkombëtar mund të arrijë në përfundimin se edhe autoritetet publike kanë kontribuar në dështimin e projektit.
Deklarata e sipërmarrësit kosovar Behxhet Pacolli se ndaj tij është ushtruar presion i drejtpërdrejtë nga drejtues të qeverisë shqiptare dhe nga një oligark vendas për t’ia shitur aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës këtij të fundit është shumë e rëndë dhe e nxjerr lakuriq natyrën mafioze të sjelljes së Ramës dhe sektit të tij me investimet e huaja serioze. Kjo deklaratë mund të jetë një element jashtëzakonisht serioz në një arbitrazh ndërkombëtar.
Në një mosmarrëveshje ndërkombëtare investimesh, arbitrazhi ndërkombëtar nuk shqyrton vetëm pyetjen nëse investuesi ka përmbushur detyrimet e tij kontraktore. Ai shqyrton edhe nëse shteti ka vepruar në mënyrë arbitrare, diskriminuese, të padrejtë, të detyruar ose shtrënguese, në kundërshtim me standardet e mbrojtjes së investimit, të miratuara nga marrëveshja në fuqi mes Shqipërisë dhe Zvicrës.
Në situatën kur investuesi ankohet se drejtues të qeverisë i kanë ushtruar presion që aksionet e investimit t’i kalojë një biznesmeni të caktuar vendas, arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të shqyrtojë nëse ka ekzistuar një lidhje midis interesit privat të biznesmenit dhe veprimeve të autoriteteve shtetërore.
II. Përgjegjësia e shtetit në largimin e partnerit teknik, përurimi publik të një aeroporti të paçertifikuar dhe konfliktin mes ortakëve
Një çështje tejet problematike që do të shqyrtohet në arbitrazh ndërkombëtar është largimi i partnerit teknik turk nga projekti, kompanisë “YDA Group” në vitin 2023.
Në një projekt kompleks aeroportual, partneri teknik nuk është një element dytësor. Ekspertiza teknike, operimi aeroportual, certifikimi, siguria ajrore dhe standardet ndërkombëtare janë komponentë thelbësorë të një investimi të tillë.
Partneri teknik ishte pjesë e strukturës së koncesionarit dhe dy vite pasi u nënshkrua kontrata koncesionare, ai u largua. Arbitrazhi ndërkombëtar do të kërkojë të kuptojë përse u largua, kush e lejoi ose e miratoi largimin, a kishte shteti dijeni për pasojat, a u zëvendësua partneri teknik, a u respektuan kushtet e kontratës për ndryshimin e strukturës së koncesionarit dhe a u morën masa për të garantuar vazhdimin normal të projektit.
Nëse shteti ka pranuar një ndryshim të rëndësishëm në strukturën teknike të projektit pa vendosur mekanizma të qartë zëvendësimi dhe kontrolli, kjo i jep hapësirë arbitrazhit të argumentojë se autoritetet publike kanë toleruar një situatë, që më vonë e kanë përdorur si argument kundër koncesionarit.
Përurimi publik i një aeroporti të paçertifikuar më 8 maj 2025, që përfaqëson çmendurinë dhe papërgjegjësinë ekstreme të Ramës, do të jetë një nga pikat më të sikletshme për shtetin shqiptar në arbitrazh.
Aeroporti i Vlorës u përurua publikisht për qëllime politike apo elektorale, përpara se të përfundonte procesi i plotë i çertifikimit dhe autorizimit për operim. Behxhet Pacolli, pasi mori koncesionin e Aeroportit, në mënyra të ngjashme me porositë për rikonstruksion të Kremlinit dhe Dumës ruse në vitet 1995-1996, ua ka borxh qytetarëve të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike (keq)përdorimin e tij në farsën e përurimit publik të Aeroportit të paçertifikuar të Vlorës më 8 maj 2025.
Arbitrazhi ndërkombëtar do të shqyrtojë nëse ky përurim-mashtrim krijoi pritshmëri të caktuara, ndikoi në afatet e projektit dhe përfaqësoi një ndërhyrje të papërshtatshme në procesin teknik. Një aeroport nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimor. Përpara operimit, ai duhet të plotësojë kërkesa të shumta teknike, të sigurisë dhe të aviacionit civil.
Investuesi mund të argumentojë se vetë shteti krijoi një narrativë publike dhe politike, që nuk përputhej me gjendjen reale teknike të projektit. Në një arbitrazh ndërkombëtar, kjo është e rëndësishme.
Konflikti ndërmjet ortakëve të shoqërisë koncesionare është një tjetër element që do të bëhet pjesë e dosjes.
Nëse shteti ka qenë në dijeni të konfliktit dhe ka vijuar të trajtojë koncesionarin si një entitet funksional, pa marrë masa për të garantuar vazhdimësinë e projektit, sikurse ka ndodhur, atëherë më vonë do të jetë e vështirë të pretendohet se çdo pasojë e konfliktit mes ortakëve ishte ekskluzivisht përgjegjësi e investuesit.
Shteti nuk është përgjegjës për çdo konflikt të brendshëm të një konsorciumi privat. Por nëse konflikti ka qenë i tillë, që ka paralizuar projektin dhe autoritetet tona publike e kanë ditur këtë, atëherë arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të shqyrtojë, nëse shteti kishte detyrimin ose mundësinë kontraktore për të ndërhyrë dhe për të kërkuar korrigjimin e situatës
III. Problemi më i madh: zgjidhja e kontratës, pa një proces të dokumentuar për korrigjimin e krizës
Kjo do të jetë pika më e rëndësishme e gjithë çështjes në arbitrazh. Nëse qeveria e sektit Rama ka vendosur të prishë kontratën, pasi projekti kishte hyrë në krizë, por pa dokumentuar përpjekje serioze për të gjetur një zgjidhje, koncesionari do të argumentojë se shteti nuk ka përdorur mjetet më pak drastike përpara se të ndërmerrte masën ekstreme të zgjidhjes.
Pyetjet që do të shtrohen dhe arbitrazhi ndërkombëtar do të këkojë përgjigje janë: a iu dha koncesionarit një afat për të korrigjuar shkeljet? a u zhvilluan negociata? a u propozuan ndryshime në strukturën e ortakërisë? a u përdorën mekanizmat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të parashikuara në kontratë dhe a ishte zgjidhja e kontratës masa e fundit?
Nëse përgjigjet janë negative ose dokumentacioni është i dobët, Shqipëria mund të përballet me një argument të fuqishëm, se zgjidhja e koncesionit ishte e nxituar dhe joproporcionale.
Nëse investuesi arrin të krijojë bindjen në arbitrazh, se Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është përdorur për qëllime politike, elektorale apo propagandistike dhe se institucionet shtetërore kanë marrë vendime në funksion të këtyre objektivave, kjo do të dëmtojë ndjeshëm narrativën juridike të shtetit. Arbitrazhi nuk është vendi ku gjykohet nëse një qeveri është politikisht e suksesshme apo jo. Por nëse motivet politike kanë ndikuar në administrimin e një kontrate ndërkombëtare, ato mund të bëhen relevante për vlerësimin e sjelljes së shtetit.
xxx
Në tërësi, problemi madhor që mund të ndeshë Shqipëria në një arbitrazh të mundshëm ndërkombëtar, është historia e trishtë dhe fatale e sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve publike të saj nën Ramën: miratimi i një koncesioni me garanci të mëdha shtetërore, lejimi i largimit të partnerit teknik, përurimi publik për qëllime politiko-elektorale i një aeroporti të paçertifikuar, lejimi i konfliktit mes ortakëve, lejimi i bllokimit arbitrar të kantierit të ndërtimit, mosndërhyrja derisa ishin kaluar afatet, si dhe prishja e koncesionit, pa asnjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.
Ja ku na katandisi sjella mafioze dhe e patolerueshme e Ramës dhe e sektit të tij, me një aset strategjik si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, që pritej ta ndihmonte fort Vlorën dhe gjithë Jugun e vendit në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik! Shqipëria rrezikon jo vetëm të turpërohet sërisht ndërkombëtarisht me humbjen e një gjyqi të rradhës, por edhe të jetë e detyruar të paguajë qindra milionë euro dëmshpërblim.
V.O. Ky shkrim është pjesa e parë e dy shkrimeve për aferën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Shkrimi nuk synon të bëjë avokaturën e investimit të Behxhet Pacollit, që, sikurse e theksova më sipër, u ka shumë borxhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike. Modestisht, si deputet i Kuvendit, dua të theksoj domosdoshmërinë e sigurisë juridike për investimet, qoftë të sipërmarrësve vendas apo atyre të huaj, siguri të cilën Rama dhe sekti i tij në pushtet e kanë shndërruar në mjet plaçkitjeje ndaj biznesit.







