Një depo sekrete armësh është zbuluar në një zonë pyjore pranë Berlinit, ndërsa autoritetet gjermane dyshojnë se pas saj mund të fshihet Rusia dhe se armët ishin destinuar për persona të përfshirë në përgatitjen e sulmeve në territorin gjerman.
Lajmi është raportuar nga mediat gjermane WDR, NDR dhe gazeta Süddeutsche Zeitung. Sipas tyre, depoja ishte zbuluar në fund të verës së vitit të kaluar, në një zonë pyjore jo shumë larg kryeqytetit gjerman.
Sipas rindërtimeve të publikuara nga mediat, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës kishte marrë informacion të detajuar për vendndodhjen e magazinës. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën armë të shkurtra, përfshirë pistoleta dhe revolverë.
Hetuesit dyshojnë se depoja mund të ishte krijuar për agjentë që do të kryenin në Gjermani, me urdhër të Moskës, të ashtuquajturat “operacione kinetike”, pra sulme fizike dhe akte sabotazhi.
Sipas burimeve të cituara nga mediat, objektiva të mundshëm mund të kenë qenë edhe drejtues të industrisë së mbrojtjes, si dhe kundërshtarë politikë rusë që jetojnë në mërgim.
Në lidhje me këtë çështje, një person i dyshuar është arrestuar në Rumani gjatë vjeshtës së kaluar, nën dyshimin se kishte përgatitur depon e armëve.







