Ratko Mlladiç, ish-shefi ushtarak serb i Bosnjës, i quajtur “Kasapi i Bosnjës” për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995, ka ndërruar jetë, raportoi të enjten transmetuesi shtetëror serb RTS.
Mlladiç, i cili kishte pësuar disa goditje në tru muajt e fundit, po vuante një dënim me burgim të përjetshëm në Hagë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pasi mbikëqyri masakrën e Srebrenicës, aktin më të keq të gjakderdhjes në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Zyrtarët shtetërorë serbë dhe familja e Mlladiçit kishin bërë thirrje për lirimin e tij për shkak të shëndetit të përkeqësuar, por këto kërkesa u refuzuan nga gjykata e Hagës.
Ai ishte fytyra ushtarake e një tresheje brutale, të udhëhequr në anën politike nga ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviç dhe ish-lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç, ndërsa ish-Jugosllavia u përfshi në masakra tpas rënies së komunizmit.
“Kasapi i Bosnjës”
Lufta e viteve 1992-1995 la rreth 100,000 të vdekur dhe 2.2 milionë të zhvendosur.
Mizoria më famëkeqe u krye në Srebrenicë, ku forcat serbe nën komandën e Mlladiçit ekzekutuan 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë që kishin kërkuar strehim në atë që supozohej të ishte një enklavë e mbrojtur nga OKB-ja.
Pamjet e asaj kohe e tregonin atë duke u shpërndarë ëmbëlsira fëmijëve përpara se ata dhe gratë e Srebrenicës të merreshin me autobus, ndërsa burrat u detyruan të shkonin në një pyll dhe të ekzekutoheshin.
Trupat e tyre u hodhën në varre masive, shumë prej të cilave u rivarrosën në mënyrë që të fshihnin provat.
Ata të paktë që shpëtuan treguan histori rrëqethëse vrasjesh, torturash dhe përdhunimesh nga forcat serbe të Bosnjës.
Në nëntor të vitit 1995, Tribunali Ndërkombëtar për Krime në Ish-Jugosllavi (ICTY) ngriti padi kundër Mlladiçit, i cili u shkarkua nga posti i tij, por i shpëtoi kapjes për 16 vjet të tjera.
Në fillim ai bëri një jetë luksoze, i përkëdhelur nga ushtria në Serbi, ku disa edhe sot e kësaj dite e shohin si hero.
Por presioni mbi të u shtua pasi Millosheviçi ra nga pushteti në vitin 2000. Mlladiçi u arrestua më në fund në maj 2011 dhe u transferua në Hagë.
‘Mishërim i së keqes’ –
Mlladiç këmbënguli gjatë gjithë gjyqit të tij dhe më vonë procesit të apelit se nuk ishte fajtor për gjenocid apo krime lufte.
Ai i sulmoi gjyqtarët me ofendime, duke e përshkruar gjykatën si një “lodër të fuqive perëndimore” dhe duke e përshkruar veten si “shënjestër të aleancës së NATO-s”.
Ai u dënua në vitin 2017, me burgim të përjetshëm që u la në fuqi në apel në vitin 2021.
Mlladiç u shpall gjithashtu fajtor për orkestrimin e një fushate më të gjerë spastrimi etnik për të dëbuar myslimanët dhe boshnjakët nga zonat kyçe dhe për të krijuar të ashtuquajturën Serbi të Madhe.
Gjykata tha në atë kohë se krimet e kryera ishin “ndër më të urryerat e njohura nga njerëzimi”. Ish-kreu i të drejtave të njeriut i OKB-së, Zeid Ra’ad al Hussein, e përshkroi atë si “mishërimin e së keqes”.
Drejt fundit të jetës, ekipi i tij mbrojtës u përpoq ta bindte gjykatën që ai duhet të lirohej për arsye humanitare.
“Duke pasur parasysh natyrën e gjendjes terminale dhe të pashërueshme mjekësore të z. Mlladiç dhe jetëgjatësinë e tij afatshkurtër, paraburgimi i vazhdueshëm nuk i shërben asnjë qëllimi legjitim dhe i afrohet trajtimit dhe ndëshkimit çnjerëzor”, argumentoi ekipi i tij.
Mosha e tij ka qenë gjithmonë një çështje debati. Ai pretendoi se ka lindur në mars të vitit 1943, por gjykata e njeh vitin e tij të lindjes si 1942.







