Një stuhi e fuqishme përfshiu Mekën. Në një prej momenteve më mbresëlënëse, një rrufe goditi Kullën ikonike të Sahatit, duke ndriçuar për pak çaste qiellin e errët.
Momenti spektakolar u kap nga fotografi Youssef Badjas, i cili publikoi pamjet në platformën X, duke e përshkruar mbrëmjen si “të paharrueshme”. Vetëtimat dhe bubullimat krijuan një skenë të veçantë mbi qytet, me kullën gjigante që dominonte horizontin.
Stuhia u dokumentua gjithashtu nga astronomi saudit Mulham Hindi, i cili ndau fotografi dhe video të aktivitetit të dendur elektrik. Sipas tij, gushti dhe shtatori janë periudha kur stuhitë janë një fenomen i zakonshëm në Mekë dhe në pjesën perëndimore të Arabisë Saudite.
Moti i paqëndrueshëm preku edhe zonën përreth Xhamisë së Madhe. Pamjet e publikuara nga Agjencia Saudite e Shtypit treguan pelegrinë dhe besimtarë duke kryer namazin e Jacisë nën shi, ndërsa Emirati i Rajonit të Mekës publikoi imazhe të vetëtimave që ndriçonin qiellin mbi qytet.
Me një lartësi prej rreth 601 metrash, Kulla e Sahatit është një nga strukturat më të dallueshme të horizontit të Mekës.







