nga Azgan Haklaj
Fundi i tyre nëpërmjet drejtësisë njerëzore dhe hyjnore!
Trinomi gjakatar’ i Ballkanit la kockat në Hagë ndërsa çlirimtarët po kthehen ngadhnjimtarë në Dardaninë Antike!
Në udhëkryqin e ftohtë ku historia përplaset me përjetësinë, bashkimi i Sllobodan Millosheviçit, Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mladiçit mbyll përfundimisht mozaikun e gjakut të një mendësie kriminale që plagosi rëndë Ballkanin.
Arkitektët e spastrimit etnik, liderët politikë të urrejtjes dhe ekzekutuesit ushtarakë të fushëbetejave mbyllin sytë e tyre pas kalvarit të gjatë gjyqësor në qelitë e Hagës, duke u larguar nga kjo botë pa lënë pas asnjë fije pendese, përveç kockave që lanë në qelitë e tribunalit ndërkombëtar si monument i dështimit të një mendësie gjenocidale.
Pas Millosheviçit, ndëshkimi hyjnor çertifikoi fundin e Mlladiçit, e sigurisht edhe Karaxhiçi pret vendimin e pashmangshëm, duke ia lënë radhën peshës së pandryshueshme të kësaj drejtësie dhe gjyqit të përjetshëm të historisë.
Krimet shkatërrimtare nuk lindin kurrë si akte të izoluara spontane; ato janë produkt i një arkitekture shtetërore dhe ideologjike të mirëorganizuar:
Ideologët dhe politikanët:
Sllobodan Millosheviçi dhe Radovan Karaxhiçi mishëruan tryezën e errët të vendimeve politike, duke shndërruar urrejtjen ndëretnike në doktrinë zyrtare të Serbisë së Madhe, ku harta e shfarosjes, e burgosjes masive dhe e gjenocidit u vizatua me gjakun e popujve të pafajshëm.
Ushtaraku dhe llogoret:
Ratko Mlladiçi ishte dora e hekurt dhe e përgjakur e kësaj ideologjie në terren, kasapi i Srebrenicës dhe terrorizuesi sistematik i popullsisë civile në Bosnjë, Kroaci e më gjerë.
Operacioni “Patkoi” dhe Kosova:
Si fazë përmbyllëse dhe më brutale të këtij projekti, Sllobodan Millosheviçi vuri në zbatim planin e mirëorganizuar ushtarak dhe policor, operacionin “Patkoi” në Kosovë (1998–1999).
Ky operacion gjenocidal synonte spastrimin etnik masiv, dëbimin me dhunë të qindra mijëra shqiptarëve dhe shkatërrimin sistematik të jetëve njerëzore, duke lënë pas masakra të panjohura dhe plagë të pashëruara në mbarë kombin.
Edhe pse të gjithë u gjendën përfundimisht para bankës së të akuzuarve në Tribunalin e Hagës, ku Karaxhiçi u izolua përgjithmonë me dënim të përjetshëm dhe krahas Mlladiçit e Millosheviçit, të cilët e mbyllën jetën nën peshën e krimeve të tyre e morën me vete në varr arrogancën e krimit të njëjtin fund do të ketë edhe Karaxhiçi.
Trekëndëshi i barbarisë bëri një refuzim total të çdo katarsisi moral, çdo kërkesë faljeje dhe çdo pendesë për gjakun e derdhur padrejtësisht para gjyqit të historisë.
Tribunale ndërkombëtare, raporte voluminoze dhe qeli të ftohta bënë atë që mundën për të vendosur një grimcë ekuilibri në një botë të tronditur, duke vulosur zyrtarisht fajësinë e tyre.
Por asnjë dënim tokësor nuk mund të kthejë mbrapsht mijëra jetë të shkatërruara, fëmijë të fshirë nga faqja e dheut apo familje të shpërndara nga Kosova e deri në Bosnjë e Kroaci.
”Drejtësia e njeriut është gjithmonë e ngadaltë, e kushtëzuar dhe e brishtë; ajo mund të izolojë trupin a atyre dikur të plotfuqishmëve të armëve dhe politikës, por mbetet e pafuqishme për të shëruar plagët e hapura shpirtërore të viktimave dhe për të dhënë shpagimin e plotë universal.”
Ndërsa treshja e përgjakur e Ballkanit përfundoi e zhveshur prej çdo pushteti gati hyjnie që ia kishin mveshur vetes përfunduan duke lënë vetëm kockat e tyre në Hagë.
- Një tjetër viktimë nga Nili Perëndimor/ 72-vjeçari humb jetën në Shkup, shkon në 6 numri i viktimave
Viktimat kërkojnë më shumë se kaq!
Ato kërkojnë që dinjiteti dhe e vërteta e tyre të mos nëpërkëmben kurrë nga harresa.
Në këtë kontrast të madh të historisë, ndërsa arkitektët e barbarisë morën vulën e turpit të përjetshëm, bijtë më të mirë të kombit, çlirimtarët po kthehen nga Haga me ballin lart në Dardaninë e lirë, të pavarur dhe sovrane.
Për shoqëritë që vazhdojnë të jetojnë nën hijen e mohimit dhe pa kaluar një proces të vërtetë denazifikimi, barra e ruajtjes së historisë mbetet detyrim i pashmangshëm për brezat që vijnë sepse kujtesa e pastër dhe fitorja e lirisë janë e vetmja armë që ndalon përsëritjen e së keqes.







