Nga Bujar Leskaj
Aferën e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Rama e nisi si tango dyshe korrupsioni, me Behxhet Pacollin. Ky koncesion është shembull tipik i korrupsionit masiv të Ramës dhe sektit të tij në pushtet, me projektet e infrastrukturës publike të Shqipërisë. Ka shumë shkelje të rëndësishme në mënyrën se si ky aset strategjik u përgatit dhe në procedurën e ndërtimit të tij, ndër të cilat më kryesoret janë:
1. Dhënia pa garë dhe problemi i konkurrencës
Mënyra se si u konceptua, u dha dhe më pas u zbatua koncesioni i Aeroportit të Vlorës ngre një sërë pikëpyetjesh serioze mbi transparencën, konkurrencën, ndarjen e riskut dhe mbrojtjen e interesit publik.
Sipas pohimit të sipërmarrësit Behxhet Pacolli, ai e mori vesh se iu dha koncesioni, kur në fillim të vitit 2021 e thirri sipërmarrësi turk i kompanisë YDA Group, në zyrën e ministres së Ramës dhe në prani të ministres!
Aty Pacolli mori ofertën e konsorciumit për Aeroportin e Vlorës dhe pazarin për llokmën e rradhës së sektit Rama. Konsorciumi, pjesëmarrësi i vetëm i një tenderi pa garë i një aseti strategjik si Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, formohet dhe “qepet” në një zyrë vendim-marrjeje të lartë të shtetit shqiptar, nën mbikqyrjen dhe bekimin e kryemafiozit Rama!
2. Detyrimet e rënda të buxhetit tonë të Shtetit
Në koncesionet e infrastrukturës, parimi themelor është që risku të ndahet në mënyrë të arsyeshme ndërmjet palëve. Nëse investitori privat merr të drejtat ekonomike të projektit, ndërsa shteti përfundon duke mbajtur një pjesë të konsiderueshme të riskut financiar, nuk kemi më një koncesion realisht të balancuar, por një barrë të rëndë për qytetarët e vendit, që do ta shlyejnë nga taksat e ardhshme.
Sipas studimit të fizibilitetit të Aeroportit, Buxheti i Shtetitshqiptar garantontë ardhurat minimale në 10 vitet e para të operimit të aeroportit. Nëse atodalin më pak se 140 milionë euro, në vitin e katërt të operimit, Buxheti i Shtetit do i paguajë koncesionarit 9.6 milionë euro, në vitin e pestë 10.3 milionë euro, në të gjashtin 11.2 milionë euro dhe në të shtatin 12.1 milionë euro. Janë plot 43.2 milionë euro, që duhet të paguajmë nga taksat tona, nëse të ardhurat e Aeroportit për 10 vitet e para të operimit rezultojnë minimale. Kjo, për një vepër me kosto kontraktuale 103.9 milionë euro.
3. Kredia me kolateral aeroportin!
Në mars 2025, partneri në koncesion, kompania “Mabco”, me pëlqimin në hije të Ramës, nënshkroi një marrëveshje huaje me shoqërinë financiare “Delphos Securities” (kompani që dyshohet për lidhje me kapitalin e oligarkëve rusë), me vlerë 100 milionë euro, për përfundimin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës dhe shlyerjen e një kredie ekzistuese bankare të “Mabco”-s.
Garancitë e ofruara dhe të drejtat që fitonte dhënësi i kësaj kredie, mbi të ardhmen ekonomike dhe financiare të Aeroportit të Vlorës, ishin skandaloze! Ato ngrejnë pikëpyetje serioze mbi të drejtat reale të koncesionarit, detyrimet kontraktuale ndaj Shtetit shqiptar, interesat e kreditorëve, mekanizmat e ndërhyrjes në rast mospagimi, si edhe pasojat financiare që mund të kishin mbi operimin e aeroportit.
Marrëveshja për huanë i jepte “Delphos Securities” kontroll mbi llogaritë bankare dhe politikat financiare të konsorciumit që do të operonte Aeroportin për 35 vjet, si edhe të drejtën për t’ia transferuar këto të drejta palëve të treta!
4. Largimi i partnerit teknik turk
Një çështje tejet problematike, që me siguri do të shqyrtohet në arbitrazhin ndërkombëtar, është largimi i partnerit teknik turk nga konsorciumi i Aeroportit, i kompanisë “YDA Group” në shtator të vitit 2022. Kompania turke u largua nga konsorciumi, duke i shitur 48% të aksioneve të saj për shifrën simbolike prej 4.450 eurosh, në një investim 103.9 milionë euro.
Në një projekt kompleks aeroportual, partneri teknik nuk është një element dytësor. Ekspertiza teknike, operimi aeroportual, certifikimi, siguria ajrore dhe standardet ndërkombëtare janë komponentë thelbësorë të një investimi të tillë. Kaq dorë e fundit paska qenë ky partner teknik, apo kështu i interesonte Ramës? Llogjika ta do që pjesa 48 përqind është rryshfeti që kërkoi dhe mori Rama, sulltani i Shqipërisë. Dhe Pacolli akoma nuk gjen guximin të denoncojë Ramën!
5. Aeroporti nuk duhej ndërtuar në një zonë të mbrojtur
Lind pyetja: a ishte zona e mbrojtur ku po ndërtohej Aeroporti, zonë ku më parë ngrinte folenë Pelikani kacurrel, specie e mbrojtur nga strukturat mjedisore të Komisionit Evropian, zgjedhja më e mirë për ndërtimin e një infrastrukture të kësaj përmase? Shqipëria do të kishte bërë një zgjedhje më të arsyeshme, duke e vendosur aeroportin në zonën e Levanit (propozim i Partisë Demokratike, i pa marrë parasysh), në një territor më të përshtatshëm për zhvillim infrastruktural.
Kjo pyetje bëhet veçanërisht e rëndësishme, pasi aeroporti nuk është një ndërtesë e zakonshme. Ai kërkon pista të gjata, zona sigurie, hapësira të mëdha tokësore, rrugë aksesi, terminale, parkingje, sisteme ndriçimi dhe infrastrukturë ndihmëse. Prandaj, vendndodhja duhet të përcaktohet jo vetëm nga afërsia me qytetin, por nga një analizë e plotë, ku tër konsideroheshin edhe pasojat në mjedis. Kjo analizë nuk u bë.
6. Çmenduria e përurimit publik të një aeroporti të paçertifikuar!
Më 8 maj 2025, në Aeroportin e Vlorës, të papërfunduar së ndërtuari dhe të paçertifikuar ndërkombëtarisht për fluturime civile, u ul avioni privat i Behxhet Pacollit. Përurimi publik i një aeroporti të paçertifikuar, i cili përfaqëson çmendurinë dhe papërgjegjësinë ekstreme të Ramës, do të jetë një nga pikat më të sikletshme për shtetin shqiptar në arbitrazhin ndërkombëtar.
Behxhet Pacolli ua ka borxh qytetarëve të Shqipërisë dhe Partisë Demokratike (keq)përdorimin e tij në farsën e përurimit publik të Aeroportit të paçertifikuar të Vlorës më 8 maj 2025. Një aeroport nuk është një objekt i zakonshëm ndërtimor. Përpara operimit, ai duhet të plotësojë kërkesa të shumta teknike, të sigurisë dhe të aviacionit civil.
7. Vonesat e mëdha në ndërtim dhe konflikti mes ortakëve në koncesion: stisje djallëzore të Ramës?
Gjatë tre viteve e gjysëm, që nga nisja reale e ndërtimit të Aeroportit në mars 2023, nuk kemi asnjë reagim zyrtar të shtetit të sektit Rama, në lidhje me vonesat e mëdha në ndërtim nga ana e koncesionarit.
Arbitrazhi ndërkombëtar, nëse shteti shqiptar nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar funksionimin normal të marrëdhënies kontraktore dhe nuk ka reaguar ndaj vonesave të koncesionarit, mund të arrijë në përfundimin se edhe autoritetet publike kanë kontribuar në dështimin e projektit.
Konflikti ndërmjet ortakëve të shoqërisë koncesionare, kompanisë “Mabco” të Behxhet Pacollit dhe kompanisë “2A Group” të Valon Ademit, është një tjetër element që mund të bëhet pjesë thelbësore e dosjes në arbitrazh. Heshtja e çuditshme e strukturave të shtetit tonë ndaj një konflikti madhor mes ortakëve, që rrezikonte bllokimin e punimeve të ndërtimit të Aeroportit, e implikon direkt Ramën dhe sektin e tij.
Nëse shteti ynë ka qenë në dijeni të konfliktit dhe ka vijuar të trajtojë koncesionarin si një entitet funksional, pa marrë masa për të garantuar vazhdimësinë e projektit, sikurse ka ndodhur, do të jetë e vështirë që Shqipëria ta fitojë gjyqin. Arbitrazhi ndërkombëtar me siguri do të shqyrtojë, nëse Shteti shqiptar kishte detyrimin dhe mundësinë kontraktore për të ndërhyrë për të kërkuar korrigjimin e situatës dhe pse nuk e bëri.
8. Mungesa e plotë e transparencës me koncesionin e Aeroportit të Vlorës
Nëse gjatë zbatimit të një kontrate koncesionare për një aset strategjik të vendit lindin konflikte ndërmjet partnerëve dhe rrezikohet ndërtimi i asetit, qytetarët duhet të dijnë se si kanë reaguar institucionet publike që mbahen nga taksat e tyre. Qytetarët nuk dinë asnjë veprim apo masë të institucioneve përgjegjëse të shtetit të tyre për të ndryshuar për mirë situatën tejet problematike në ndërtimin e Aeroportit, përpara datës 4 gusht 2026, kur qeveria e tyre nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës.
Nëse penalizohet Shqipëria, Pacolli nuk do të dalë të thotë të parën, që ky koncesion u muarr pa trasparencë.
9. Zhurma në media dhe siguria juridike. Pse Shqipëria rrezikon të humbasë
Çështja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në një fazë ku debati publik, përplasjet politike dhe deklaratat në media mund të kenë një peshë shumë më të madhe, sesa thjesht ndikimi në opinionin publik. Nëse mosmarrëveshja ndërmjet shtetit shqiptar dhe koncesionarit shkon në arbitrazh ndërkombëtar, zbatimi i kontratës do të shihet edhe nga këndvështrimi i sigurisë juridike dhe i parimeve të trajtimit të drejtë të investitorit të huaj.
Deklarata e Behxhet Pacollit se ndaj tij është ushtruar presion i drejtpërdrejtë nga drejtues të qeverisë shqiptare dhe nga një oligark vendas për t’ia shitur aksionet e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës këtij të fundit, është shumë e rëndë dhe e nxjerr lakuriq natyrën mafioze të sjelljes së Ramës dhe sektit të tij, me investimet e huaja strategjike në vend. Kjo deklaratë mund të ketë një peshë të madhe në gjykimin e arbitrazhit dhe Shqipëria rrezikon të penalizohet me pagesën e një gjobe 500 milionë euro e lart, sikurse e ka denoncuar me të drejtë Kryetari i Partisë Demokratike.
10. Rama bën kokorroçin, njëlloj si me Beketin
Historia e përballjes së Shqipërisë me investuesin italian Francesco Becchetti në arbitrazh ndërkombëtar duhet të shërbejë si një mësim i rëndësishëm për çdo konflikt të ri mes shtetit tone dhe një investitori të huaj. Rasti Beketi përfundoi me një vendim shumë të kushtueshëm për Shqipërinë. Papërgjegjshmëria dhe kokorroçësia e veprimeve të Ramës dhe sektit të tij në atë rast ishte fatale. Ajo solli humbjen e gjyqit dhe një peshë shumë të rëndë financiare mbi buxhetin e shqiptarëve, për të mos folur për imazhin e dëmtuar të vendit.Në çështjen Becchetti, arbitrazhi ndërkombëtar u përqendrua në mënyrën se si autoritetet shqiptare i kishin trajtuar investitorët dhe investimet e tyre. Çështja u zhvillua në kuadrin e traktatit dypalësh të investimeve Itali–Shqipëri.
Edhe me Zvicrën, Shqipëria ka një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve të huaja reciproke, që daton që nga viti 1992.
xxx
Më 4 gusht 2026, me nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës koncesionare, Rama ka vendosur ta luajë tangon e korrupsionit me Aeroportin e Vlorës krejtësisht i vetëm. Në perspektivë është gjoba e majme që mund të marrë shteti ynë, prej ndoshta edhe gjysëm miliardë euro, po të humbë arbitrazhin ndërkombëtar.
“Lideri rajonal”,me sjelljen e tij të papërgjegjshme dhe mafioze, nuk jep asnjë garanci për siguri juridike, në rast se zgjidhja e njëanshme e kontratës koncesionare prej Shtetit tonë shkon në arbitrazh ndërkombëtar. Ndoshta i gëzohet mundësisë për penalizim të ri të Shqipërisë, nga gjoba 110 milionë e euro e Beketit, kësaj rradhe me gjobën 500 milionë euro të Pacollit. Ndoshta, nga eksperienca Becchetti, Rama e di pjesën që i takon…
V.O.: Ky shkrim është pjesa e dytë e shkrimit “Rama: minuesi i të ardhmes së Aeroportit të Vlorës dhe shkatërruesi i të ardhmes së Shqipërisë!”, botuar më 17 gusht 2026 në gazetat “Sot”, “RD” dhe në portalet “startnews.al”, “blicnews.al”, etj.







