Abigail Lainton, 16 vjeçe, nga Swindon, Angli, humbi jetën disa ditë pasi u plagos rëndë në shpërthimin e një varke turistike në Republikën Dominikane.
E reja britanike ishte me pushime me familjen kur varka turistike mori flakë më 27 korrik, gjatë kthimit nga ishulli i njohur Saona. Shpërthimi shkaktoi një zjarr të fuqishëm dhe plagosi dhjetëra persona.
Sipas të dhënave të paraqitura në hetimin për vdekjen e saj, trupi i Abbie është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar.
16-vjeçarja kishte pësuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë në rreth 60 për qind të trupit. Ajo ndërroi jetë në spital më 30 korrik, rreth orës 21:00, vetëm tre ditë pas shpërthimit
Hetimi i plotë për rrethanat e vdekjes është shtyrë nga autoritetet në Salisbury, Wiltshire, ndërsa një datë e re ende nuk është përcaktuar.
Varka po transportonte rreth 35 turistë kur papritur shpërtheu dhe u përfshi nga flakët. Pamjet e incidentit treguan shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa forca e shpërthimit dëmtoi një pjesë të kuvertës.
Autoritetet lokale thanë se 24 persona u plagosën, ndërsa 11 prej tyre u dërguan në spital.
Abbie u transportua me urgjencë në spital së bashku me disa persona të tjerë, por gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Edhe dy vëllezërit e motrat e saj, Carley dhe Bradley, ishin mes të plagosurve. Gjendja e tyre aktuale nuk është bërë e ditur.
Një çift që ndodhej në varkë në momentin e shpërthimit ka treguar momente tmerri gjatë incidentit.
Gisell Segovia dhe bashkëshorti i saj, Navin Torres, thanë se varka kishte erë benzine dhe dukej e mbipopulluar që në fillim, por ekuipazhi i kishte siguruar pasagjerët se gjithçka ishte e sigurt.
Sipas dëshmive të tyre, pasagjerët dëgjuan një zhurmë të fortë, ndërsa varka papritur rriti shpejtësinë për të ndjekur varkat e tjera. Pak çaste më vonë, pjesa e përparme e saj shpërtheu.
Flakët u përhapën me shpejtësi dhe pasagjerët u detyruan të hidheshin në det për t’i shpëtuar zjarrit. Ata u ndihmuan më pas nga varka të tjera që ndodheshin pranë.
Çifti pësoi djegie të shkallës së parë, ndërsa Navin kishte nevojë edhe për qepje pasi u godit nga një pjesë e mbeturinave të varkës.
Familja dhe miqtë e Abbie e kanë përshkruar atë si një vajzë të dashur dhe të bukur, e cila kishte gjithë jetën përpara.
Mikesha e familjes, Becky Jamieson, tha se Abbie ishte shumë e dashur nga familjarët dhe miqtë e saj dhe se ajo duhej të kalonte verën me shoqërinë dhe të priste rezultatet e provimeve GCSE.
“Për Abbie, përgjithmonë 16 vjeçe, përgjithmonë e dashur dhe kurrë e harruar”, ishte mesazhi i saj.
Një fushatë online për mbledhjen e fondeve është hapur për të ndihmuar familjen pas tragjedisë.
Incidenti ndodhi gjatë kthimit nga Saona Island, një destinacion i njohur turistik në Republikën Dominikane, pjesë e Parkut Kombëtar Cotubanamá.
Autoritetet në Republikën Dominikane e kanë cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik në det dhe kanë deklaruar se do t’i ofrojnë familjes çdo ndihmë të mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë.







