Tre persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri sot në Danilovgrad të Malit të Zi, ndërsa autoritetet kanë nisur kërkimet për një shtetas rus, 30-vjeçarin Mihail Shabunin, i dyshuar si autor i ngjarjes.
Viktimat janë identifikuar si Petar Globareviç, 24 vjeç, nga Podgorica, Momir Radonjiç, 67 vjeç, nga Danilovgradi, dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica. Të tre punonin në poligonin e qitjes “Češka Zbrojevka”, në zonën përreth Danilovgradit.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, pas krimit Shabunin mund të jetë larguar me një automjet tip “Seat Cordoba”, i cili rezulton në pronësi të babait të njërit prej viktimave.

Autori i dyshuar
Policia malazeze vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit, i cili dyshohet i armatosur. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të njoftojnë menjëherë policinë nëse e shohin ose kanë informacion mbi vendndodhjen dhe lëvizjet e tij.
Qeveria e Malit të Zi ka shpallur datat 1 dhe 2 shtator si ditë zie, pas vrasjes së trefishtë të ndodhur në Danilovgrad.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, tha se është thellësisht i tronditur nga tragjedia, ku humbën jetën tre punonjës të poligonit të qitjes “Češka zbrojevka”, Petar Globarević, Momir Radonjić dhe Nemanja Kapor.
“Jam thellësisht i tronditur nga tragjedia e sotme në Danilovgrad, ku humbën jetën punonjësit e poligonit të qitjes ‘Češka zbrojevka’, Petar Globarević, Momir Radonjić dhe Nemanja Kapor. Në këtë moment të vështirë, familjeve dhe miqve të tyre u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe ndaj dhimbjen e tyre”, deklaroi Spajić.
Kryeministri bëri me dije se është në komunikim me ministrin e Brendshëm, Danilo Šaranović, dhe drejtorin e Policisë, Lazar Šćepanović, nga të cilët ka marrë garanci se autoritetet po punojnë me të gjitha kapacitetet në dispozicion për zbardhjen e rrethanave të tragjedisë dhe lokalizimin e autorit.
Ai njoftoi gjithashtu se, për shkak të tragjedisë, qeveria do të miratojë vendimin për shpalljen e 1 dhe 2 shtatorit si ditë zie. Ndërkohë, fillimi i vitit të ri shkollor në Danilovgrad do të shtyhet për të enjten, 3 shtator.

Gjatë ditëve të zisë, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore dhe Ditën e Pavarësisë së Malit të Zi, flamujt do të ulen në gjysmështizë në të gjitha godinat e institucioneve shtetërore, autoriteteve të pushtetit vendor dhe institucioneve publike.
Gjithashtu, gjatë ditëve të zisë nuk do të zhvillohen në ambiente publike programe me karakter publik, kulturor apo argëtues. Në lokalet e gastronomisë nuk do të transmetohet muzikë.
Edhe mediat elektronike dhe mediat e tjera janë të detyruara të përshtatin programet e tyre me shënimin e ditëve të zisë.
Ndërkohë Policia ka shpallur në kërkim një shtetas rus, 30-vjeçarin Mihail Shabunin, si autor të dyshuar të ngjarjes së rëndë.







