HomeOP EDShtëpia e Spanjës/nga NGA KITA SALLABANDA DIAZ

Shtëpia e Spanjës/nga NGA KITA SALLABANDA DIAZ

Advertismentspot_img

NGA KITA SALLABANDA DIAZ

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Spanjës u firmosën në 12 shtator të vitit 1986. Sivjet, në të njëjtën datë, mbushen plot 40 vjet dhe është momenti për të festuar dhe për të kujtuar. Në realitet, diplomati i parë shqiptar që preku tokën spanjolle, si ambasador, është Z. Zef Simoni dhe hapet kështu ambasada shqiptare në Madrid, ndërsa i pari ambasador spanjoll resident në Shqipëri është Manuel Montobio, diplomat karriere që erdhi në fillimet e vitit 2006 dhe kështu hapet e para zyrë diplomatike spanjolle në tokën shqiptare.

Dihet gjerësisht që spanjollët morën pjesë në kontingjentin e trupave ndërkombëtare që erdhën në Shqipëri mbas trazirave të vitit 1997, (4 Tercio Alejandro Farnesino de la Legion) me mandatin sipas resolucionit 11 01 të Këshillit të Sigurimit, i ashtuquajturi Operacioni ALBA. Në këtë rast, në mbështetje të 325 ushtarakëve spanjollë, legjionarëve, erdhi në Shqipëri një diplomat karriere, Iñigo de Palacio España Ezquerra, që koordinonte operacionin bashkë me një grup të Guardia Civil, një major dhe një kapiten që sot janë gjeneral dhe kolonel si edhe me shoferin e tyre, Miguel Dominguez, nënoficer.

Me ikjen e kontingjentit spanjoll largohet edhe diplomati i ngarkuar dhe, si gjithmonë, marëdhëniet mbahen aktive nga ambasada spanjolle në Romë, ku ambasadori resident ishte i akredituar edhe në Shqipëri. Po ashtu, gjatë luftës së Kosovës kontigjenti ushtarak spanjoll (“La brigade de Cazadores de Montaña Ärragon”) me komandant Fernando Sanchez Lafuente, sot gjeneral, nën mandatin e OKB-së dhe NATO-s (AFOR) hapi kampin e refugjatëve në Hamallaj të Durrësit që, edhe pse kishte çadrat e fushatës së Saharasë, u konsiderua një nga kampet më mikpritës, më të kompletuara, me shërbim mjeksor dhe kujdesin e OJQ-ve spanjolle, Kryqi i Kuq, Medicos sin Frontera etj. Kam pasur nderin në atë periudhë të përfaqësoja Spanjën dhe kontingjentin ushtarak si Konsull i Nderit të Spanjës në Tiranë.

Shqiptarët kanë pasur gjithmonë një atraksion për gjuhën dhe kulturën spanjolle, në vitet e komunizmit e njihnim Spanjën nëpërmjet shkrimtarit të madh Petro Marko, me librin e tij “Hasta La vista” dhe botimeve të letërsisë spanjolle, si “Don Kishoti” i Cervantesit, që u përkthye nga Noli që në vitet ’30. Po ashtu, nga Blasco Ibañez njihej libri “Kasollja”, mjaft poezi të Lorkës, ndonjë dramë e Lope de Vegës dhe shkrime të tjera. Gjuha spanjolle filloit të studiohet në shkollën e gjuhëve të huaja kur u hapën edhe gjuhët e tjera perëndimore. Ndërkohë edhe telenovelat meksikane ndihmuan në përhapjen e interesit për të.

Në Shqipëri, Tiranë, ishin disa spanjishtfolës që kishin studiuar ose kishin qenë në përfaqësitë diplomatike në Kubë, Meksikë, Argjentinë dhe po ashtu disa zonja, ¨las niñas de la guerra¨ spanjolle të martuara me shqiptarë; Jozefina, Conchita, Margarita etj, të cilat mbanin gjallë gjuhën dhe historinë e Spanjës dhe shërbenin si një pikë lidhje me Spanjën. Është kuriozitet të mësoni se deri vonë në vitet 70-80 të shekullit të kaluar, në pashaportat spanjolle kishte një shënim: Ndaluar të shkoni në Shqipëri. Kore, etj gjë që vështirësonte shkëmbimet kulturore, tregtare etj Një tjetër kuriozitet; biznesmenët e parë spanjollë, në Shqipëri, ishin një grup nga Valencia, të cilët hapën bingon, një sallë lojrash tek Pallati i Kulturës, ku Ardit Gjebreja, prezentatori, këngëtari dhe artisti i njohur bënte emisionin e të dielës mbasdite.

Këto janë të dhëna që mund të gjenden lehtësisht në çdo dokument zyrtar dhe nuk është qëllimi ynë të japim vetëm një informacion të tillë. Ajo që duam të kujtojmë në këto ditë është diçka që ndofta në analet e diplomacisë spanjolle dhe shqiptare si edhe në publikun e gjerë nuk njihet: LA CASA DE ESPAÑA, (shtëpia e Spanjës). La Casa de España ishte një iniciativë private e njerëzve që e donin dhe e admironin Spanjën, kulturën, historinë e saj, të cilët formuan shoqatën e parë të miqësisë midis Shqipërisë dhe Spanjës. Morën me qera një apartament në hyrje të rrugës Fortuzi dhe atje, për herë të parë filloi të promovohej informacioni mbi Spanjën, literatura, historia, muzika etj. Shoqata e miqëve të Spanjës u krijua fillimisht nga Dritan Mara, Eduard Manushi, Luljeta Metohu, që përgatitën dokumentacionin përkatës, më vonë, mbas një takimi në ambientet e Karitasit, që drejtohej nga Don Segundo Tejado, një prift spanjoll, u bënë zgjedhjet dhe si president i parë i shoqatës, u zgjodh Z.Skënder Vuçini, një përkthyes i spanjishtes.

Shoqata tërhoqi shumë dashamirës të Spanjës, është rasti të përmendim këtu jo vetëm “las niñas de la guerra”, si Margarita Diaz Vicenten po edhe Don Segundo Tejado, Beni Prat, Jozefinën, religjiozat spanjolle që iu bashkuan kësaj iniciative, si edhe Rina Hasanin, Anila Bitrin, Elsa Bahçevanin e të tjerë që kishin studiuar spanjisht në shkollën e gjuhëve të huaja ose jepnin emisionet e spanjishtes në radio Tirana. Po një suport i madh ishte edhe prezenca e Namik Dokles, një personalitet i shquar i politikës shqiptare që kishe mësuar spanjisht në mënyrë autodidakte dhe që sot e kësaj dite është një nga autorët më të përkthyer shqiptarë në Spanjë.

Ai krijoi grupin e parë të miqësisë Shqipëri-Spanjë në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm në marëdhëniet midis dy vendeve. Duhet t’ju kujtoj se “La Casa de Espanja” nuk kishte financim nga qeveria spanjolle dhe as ndonjë tjetër organizëm, po u mbështet nga njerëz të mirë, grupi spanjoll i Valencias dhe dashamirës të ndryshëm. Në vitin 1988 u hapën kurset e para të spanjishtes në ¨La Casa de España¨ që patën një pjesëmarrje masive, me profesorë nativë si Beni Prat dhe të tjerë si Skënder Vucini, Elsa Bahcevani, Përparim Sinani etj. Këto kurse ndihmuan shumë të rinj të mernin diplomat e gjuhës spanjolle. Librat dhe tekstet u mundësuan nga ambasada spanjolle në Romë, audio nga biznesmen shqiptarë në Spanjë dhe gjithçka bëhej me dëshirë dhe pasion.

Në këtë shtëpi të Spanjës kanë kaluar dhe e kanë vizituar njerëz të nderuar si Jordi Sole Tura senator dhe një nga baballarët e kushtetutës spanjolle, Agustin Diaz de Mera, eurodeputet, kryetar i bashkisë së Avilës drejtor i përgjithshëm I policisë së Spanjës, Gullermo Martinez Casañ eurodeputet, mik i Shqipërisë, Gjeneral Alexandër, shefi i shtabit të forcave tokësore të Spanjës, politikanë, ushtarakë, diplomatë të të gjitha niveleve etj. Për herë të parë në Shqipëri u festua festa kombëtare e Spanjës në 12 tetor (viti?) ku erdhën përfaqësues të ministrisë së jashtme të Shqipërisë, deputetë, ambasadori francéz e shumë të tjerë.

Dua të përmend Ambasadorin Juan Prat Y Coll, për mbështetjen e madhe si dhe gjithë personelin e ambasadës spanjolle në Romë, si Maria Victoria Scola etj. La Casa de España u rikonstruktua nga kontingjenti spanjoll gjatë luftës së Kosovës, u lye, u suvatua, u rregullua bibloteka, u pajis me karrige, me mjete, kompjuterë, literaturë. AECI, agjensia spanjolle e kooperimit internacional, e përdori si vend ku mblidheshin të gjitha OJQ spanjolle që punonin në terren, atje u bë rezidenca e Konsullit të nderit të Spanjës, u vendos flamuri spanjoll. Po ashtu atje mbidheshin gazetarët spanjollë që mbulonin kampin spanjoll të refugjatëve, luftën e Kosovës, ushtarakët spanjoll që vinin në Tiranë, diplomatë, artistë, atje njoha edhe Ruben Amon, Herman Terch gazetarë të njohur në Spanjë, atje erdhi Charles Poëell (sot drejtor i Institutit “El Cano”) dhe Fernando Rodriguez që organizuan seminarin e parë mbi tranzicionin spanjoll në Shqipëri, në bashkëpunim me Remzi Lanin dhe institutin e gazetarisë, ku morën pjesë të gjitha partitë politike. Flasim për vitin 1998, kur rrugët ishin akoma me gjakun e trazirave të 1997.

Atje, në “Casa de España” erdhën edhe gjithë gazetarët, kur dy kolegët e tyre u rrëmbyen nga Hotel Tirana dhe u çuan në rrethinat e Tiranës, kur me ndihmën e Mithat Havarit, drejtorit të policisë së Tiranës dhe të Presidentit të Republikës, Z. Rexhep Meidanit u bë e mundur që të gjendeshin dhe të ktheheshin shëndoshë e mirë midis nesh. Dua të përfitoj nga rasti të përshëndes dhe të falenderoj Presidentin Meidani, Kryetarin e Kuvendit Namik Dokle, Ministrin e punëve të Jashtme Paskal Milo, të cilët më mbështetën në funksionet e mia si konsull nderi i Spanjës, detyrë që dhe superonte ato të një konsulli nderi të zakonshëm për situatat që kalonim. Mariza Lino, ambasadorja e USA në atë kohë, ambasadori anglez, francéz, italian, çuditeshin me atë që bënte “La Casa de España”, pa ndihmë ekonomike, po me dëshirën e madhe për të forcuar miqësinë shqiptaro-spanjolle.

Në darkën e mbylljes të seminarit mbi tranzicionin spanjoll, ambasadorja Lino përshëndeti me shumë entuziazëm iniciativën dhe tha: vetëm Spanja mund ta bënte këtë! Në “La Casa de España”, u organizua edhe vizita e parë e një kryeministri spanjoll, Jose Maria Aznar, që vizitoi kontigjentin ushtarak spanjoll, takoi kryeministrin dhe presidentin e Republikës. Grupi spanjoll i presidencës spanjolle pati aty “el cuartel general”, edhe pse aspekti zyrtar u mbyll në ambientet e ministrisë së jashtme. Vizita e Jose Maria Aznar ishte një mbështetje e madhe për ne, ai takoi edhe shumë nga miqtë e Spanjës në Shqipëri. Nuk mund të anashkalohet fakti që në atë kohë u realizua edhe vizita e pare e një grupi deputetësh shqiptarë në Madrid, (1999).

Në delegacion ishin dy nënkryetarët e parlamentit, Jozefina Topalli dhe Namik Dokle, deputetët Genci Pollo, Arta Dade, Sabri Godo, i gjithë spektri politik shqiptar që për herë të pare vizituan Spanjën dhe u pritën nga Javier Ruperez, kryetari i komisionit të jashtëm të parlamentit spanjoll, në Senat, në rezidencën e kryeministrit, Moncloa, në shumë institucione të rëndësishme dhe që krijuan bërthamën e deputetëve miq të Spanjës në parlamentin Shqiptar. Ruaj një respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë këta politikanë që bënë të mundur që marrëdhëniet midis dy vendeve të zhvilloheshin pozitivisht.

Nuk mund të rri pa përmendur javën e filmit spanjoll, në kinoteatrin e Piramidës (me ndihmën e AECI-t që na solli tre filma të mrekullueshëm), ditët e muzikës spanjolle në teatrin e Operas dhe Baletit, përkujtimin e 100 vjetorit të lindjes të Garcia Lorkës, në bashkëpunim me shoqatën e shkrimtarëve shqiptarë dhe homazhi për Petro Markon. Po mbi të gjitha edhe bashkëpunimin me institutin Cervantes. Shumë pak e dinë, por studentët që kryenin kurset e spanjishtes në “La casa de España”, patën mundësi, që për herë të parë të jepnim provimin zyrtar të spanjishtes DELE, niveli A1, në qershor të vitit 2000, të njohur nga Instituti Cervantes dhe qeveria spanjolle. Të gjitha këto në “La Casa de España”, një histori për të mos u harruar.

Autori, ish-konsulli i parë i nderit i Spanjës në Shqipëri

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular