Futbollisti i Cagliarit, Daniel Maldini, është përfshirë në orët e para të mëngjesit në një aksident automobilistik në Milano, vetëm pak orë pasi ishte protagonist në fitoren e skuadrës së tij ndaj Atalantës.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:15 në Via Caracciolo, në zonën veriore të kryeqytetit të Lombardisë.
Në përplasjen mes dy automjeteve janë përfshirë gjithsej gjashtë persona, të cilët kanë pësuar lëndime të lehta.
Mes të lënduarve ishte edhe Maldini, i cili pritet të festojë 25-vjetorin e lindjes muajin e ardhshëm.
Futbollisti kishte kaluar mbrëmjen në Milano, pasi më herët kishte qenë në Bergamo për ndeshjen ndaj Atalantës, ku shënoi nga pika e bardhë golin vendimtar në fitoren 2-1 të Cagliarit.
Në vendngjarje kanë mbërritur tre ambulanca dhe një automjet mjekësor. Një prej personave të përfshirë në aksident mori ndihmën e parë në vend, ndërsa pesë të tjerë u transportuan në spital për kontrolle.
Maldini u dërgua në Spitalin Fatebenefratelli, ku iu nënshtrua vlerësimeve të mëtejshme mjekësore. Sipas informacioneve të para, gjendja e tij nuk paraqitet shqetësuese dhe dëmtimet janë të lehta.
Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet e përplasjes.







