Momente paniku janë përjetuar në bordin e një avioni të KLM me 322 pasagjerë, pasi një bateri portative shpërtheu në flakë gjatë fluturimit mbi Atlantik. Incidenti detyroi ekuipazhin të ndërpriste udhëtimin drejt Karaibeve dhe të rikthehej në aeroportin Schiphol të Amsterdamit.
Fluturimi KLM KL735 ishte nisur nga Amsterdami me destinacion Curaçao dhe kishte qenë në ajër për rreth pesë orë e 30 minuta kur në kabinë u konstatua zjarri. Sipas raportimeve të mediave holandeze, shkak dyshohet të ketë qenë një power bank që ishte mbinxehur dhe kishte marrë flakë. Ekuipazhi ndërhyri menjëherë dhe arriti ta shuante zjarrin, por kapiteni vendosi që avioni të kthehej në Amsterdam si masë sigurie. Në vend që të vazhdonte fluturimin mbi Atlantik drejt destinacionit, avioni u rikthye në Schiphol.
Pas incidentit, në rrjetet sociale u publikuan fotografi dhe video ku shihen dëmtime dhe shenja djegieje në sediljet dhe pjesë të kabinës ku kishte rënë zjarri. Mediat holandeze raportuan se power bank-u i përkiste Camille Eurlings, ish-kryetares dhe CEO-s së KLM, e cila ndodhej mes pasagjerëve. Sipas këtyre raportimeve, Eurlings pësoi edhe dëmtime të lehta gjatë incidentit.
KLM nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar informacionin mbi identitetin e pronarit të baterisë, duke deklaruar se nuk komenton të dhëna personale të pasagjerëve. Eurlings drejtoi KLM nga viti 2013 deri në vitin 2014, pasi kishte zëvendësuar Peter Hartmann. Pas uljes në Schiphol, të 322 pasagjerët u dërguan në një hotel në Amsterdam. Të nesërmen, ata vijuan udhëtimin drejt Curaçaos me një tjetër fluturim. Incidentet me bateritë portative janë një shqetësim për sigurinë ajrore, pasi bateritë me litium mund të mbinxehen dhe të shkaktojnë zjarr, veçanërisht në rast dëmtimi. Për këtë arsye, kompanitë ajrore kanë rregulla të posaçme për transportin e power bank-ëve. KLM kërkon që bateritë portative të mbahen në kabinën e pasagjerëve dhe jo në bagazhin e regjistruar.







