Policia e Tiranës ka shoqëruar dhe identifikuar 23 të mitur, të moshës 13-17 vjeç, të cilët dyshohet se do të përfshiheshin në konflikt në zonën e Yzberishtit. Gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar edhe dy shkopinj bejsbolli, që dyshohet se do të përdoreshin gjatë përplasjes.
Fillimisht sherri ka nisur mes dy të miturve pas një debati në rrjetin social TikTok. Sipas bisesave, të miturit ishin ndarë në grupe teksa përmendnin edhe fjalët ‘ata janë më të fortë se ne në lagje’ apo nuk ‘do i lëmë i lëmë të na bëjnë të fortin’.
Sipas burimeve, të miturit kishin lënë të takoheshin në lagjen e tyre për tu sqaruar, ndërsa pas informacioneve që efektivë të komisariatit nr 6 morën në rrugë operative nisën punën për identifikimin e tyre. Ku nga hetinet rezultoi se një pjesë e tyre ishin me shkopa bejsbolli me vete.
Pas veprimeve procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, materialet i janë referuar Prokurorisë, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të miturit.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit Nr. 6 parandalon një konflikt ndërmjet dhjetëra të miturve, në Yzberisht.
Procedohen penalisht 23 shtetas të moshave 13-17 vjeç, që do të përfshiheshin në konflikt.
Sekuestrohen 2 shkopinj bejsbolli.
Menjëherë pas sigurimit të informacionit se dhjetëra të mitur do të konfliktoheshin në rrugën “Besim Alla”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë shkuar në zonën e sinjalizuar, për të parandaluar ngjarjen.
Efektivët kanë konstatuar disa të mitur të pajisur me shkopinj bejsbolli, për t’i përdorur gjatë konfliktit. Ata janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit dhe, në vijim, janë identifikuar dhe shoqëruar edhe të miturit e tjerë që do të përfshiheshin në këtë konflikt.
Në përfundim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në prani të prindërve dhe psikologut, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 23 të mitur. Gjithashtu, janë sekuestruar sendet e forta.
Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për të parandaluar konflikte ndërmjet të miturve dhe të rinjve, të cilat, ndonëse nisin për motive të dobëta, mund të përshkallëzojnë në ngjarje të rënda kriminale. Për të përmbushur këtë objektiv prioritar, kërkojmë bashkëpunimin intensiv të prindërve, të afërmve, miqve dhe mësuesve të të miturve, të cilët konstatojnë në përditshmëri dhe në hapësirën dixhitale indicie për ngjarje të tilla ndërmjet bashkëmoshatarëve.
Siguria e fëmijëve dhe të rinjve, prioritet absolut i Policisë së Shtetit.







