Pas Granit Xhakës, një tjetër futbollist i kombëtares së Zvicrës është përfshirë te certifikatat e rreme të vaksinimit ndaj Covid-19.
Sulmuesi Breel Embolo ka pranuar publikisht se ka pasur një dokument të falsifikuar gjatë asaj periudhe. Federata Zvicerane e Futbollit njoftoi se lojtari është lënë jashtë grumbullimit për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve.
Edhe pse njoftimi zyrtar nuk dha detaje specifike, mediat vendase zbuluan shpejt lidhjen me hetimin e prokurorisë ndaj tij. Sulmuesi është përballur me procedim penal për posedim të dokumenteve të falsifikuara.
Në deklaratën e tij, Embolo pranoi gabimin e bërë dhe konfirmoi se ka marrë përgjegjësinë e plotë për veprimet e tij.
Si rrjedhojë, futbollisti ka pranuar edhe masën ndëshkuese financiare të vendosur nga organet e drejtësisë. Sipas mediave në Zvicër, ndaj lojtarit është caktuar një gjobë prej 60 mijë frangash zvicerane me kusht.







