Ish-deputetja e PD, Ori Nebiaj ka reaguar lidhur me shpërndarjen e disa videove intime në rrjetet sociale me protagonist kompozitorin Adi Hila, ku janë përfshirë edhe emra të njohur artistesh dhe figura te njohura publike.
Me anë të një postimi në Facebook, Nebiaj thekson se edhe pse në Shqipëri ka shumë skandale me abuzimet e detyrës, duke shpërdoruar taksat e shqiptarëve, përsëri vëmendje është tek historitë rozë.
“Dalin çështje që ngrenë pyetje për abuzimin me pushtetin, shtetin dhe taksat tona, e megjithatë vëmendjen e harxhojmë te historitë rozë: me kë shkonte, kë kishte dashnore”, shkruan ish deputetja.
Nebiaj shkruan se problemi nuk qëndron te jeta private e personave të përfshirë, por te mënyra se si pamjet intime filmohen dhe shpërndahen pa pëlqimin e tyre.
Ish deputetja argumenton se duhet të ketë përgjegjësi penale për personat që filmojnë intimitetin e dikujt pa pëlqim, si edhe për ata që i shpërndajnë këto pamje.
“Gra që mund të jenë filmuar në intimitet pa dëshirën e tyre. Burra ordinerë, fekale të shoqërisë, që realizojnë skenarë të tillë. Duhet të ketë përgjegjësi të qartë penale për këdo që provohet se filmon intimitetin e dikujt pa pëlqimin e tij dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim. Ky është abuzim, jo argëtim”, shkruan ajo







