Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në Tiranë dhe thekson se e drejta për t’u mbledhur, për të protestuar dhe për të shprehur lirisht qëndrimet është një e drejtë themelore që duhet respektuar.
Ushtrimi i kësaj të drejte duhet të jetë paqësor dhe në respekt të ligjit. Aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj degëve bankare dhe objekteve financiare janë të papranueshme dhe krijojnë shqetësime për sigurinë e punonjësve e të klientëve, si dhe për vijimësinë normale të shërbimeve bankare.
AAB u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të shmangin çdo veprim të dhunshëm. Institucionet përgjegjëse të marrin masat e nevojshme për parandalimin e incidenteve të tilla dhe garantimin e sigurisë publike.
Mbrojtja e punonjësve dhe klientëve, respektimi i pronës private dhe garantimi i vijimësisë së shërbimeve bankare janë thelbësore në çdo rrethanë. Sektori bankar siguron klientët se marrëdhënia e tyre me bankën mbetet e pacenuar dhe e sigurt, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura.
AAB mbështet të drejtën për protestë paqësore dhe shprehjen e lirë të kërkesave qytetare, në respekt të ligjit, sigurisë së qytetarëve dhe pronës publike e private.







