I mituri u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Pafosit, ku më vonë u konstatua vdekja e tij
Një baba 37-vjeçar nga Essex, Angli, është gjobitur me 3 mijë euro nga një gjykatë në Qipro, pasi djali i tij dyvjeçar humbi jetën pasi ra nga dritarja e katit të katërt të një hoteli.
Ngjarja tragjike ndodhi më 12 korrik, në ditën e parë të pushimeve familjare në hotelin luksoz King Evelthon Beach Hotel and Resort, në zonën e Chlorakas, në Qipro.
Joshua Foster po ecte drejt ashensorit së bashku me vjehrrin dhe të birin, kur fëmija vuri re një park ujor jashtë hotelit. Babai e vendosi djalin në parvazin e dritares për t’i treguar pamjen, duke menduar se dritarja ishte e mbyllur. Në atë moment, fëmija ra nga një lartësi prej rreth 12 metrash.
I mituri u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Pafosit, ku më vonë u konstatua vdekja e tij.
Foster pranoi akuzën për shkaktimin e vdekjes përmes një veprimi të pakujdesshëm dhe të rrezikshëm. Gjyqtarja Froso Christodoulidou deklaroi se nuk kishte prova që babai e kishte ekspozuar qëllimisht fëmijën ndaj rrezikut, duke e cilësuar ngjarjen si një gabim të çastit me pasoja fatale.
Pas vendimit, familja deklaroi se ndihej e lehtësuar që procesi gjyqësor kishte përfunduar, por dhimbja për humbjen e djalit do t’i shoqërojë përgjithmonë.
Avokati i Fosterit, Alexandros Alexandrou, tha se çështja nuk duhej të kishte përfunduar në gjykatë. Ai shtoi se klienti i tij kishte kaluar tetë ditë në paraburgim pas ngjarjes dhe se kjo periudhë i kishte mohuar mundësinë të qante të birin që ndërroi jetë tragjikisht.







