Nëna e Muhamet Skanës, të riut që u bë viral pasi u godit nga një efektiv policie gjatë protestës së të premtes në Tiranë, ka bërë një deklaratë që ngre pikëpyetje të reja mbi praninë e tij në tubim. Gjatë një telefonate në “Aldo Morning Show”, ajo ka pretenduar se i biri ishte paguar për të marrë pjesë në protestë, ndërsa sqaroi se ai nuk është student dhe se e gjithë familja jeton prej vitesh në Itali.
Sipas saj, Skana nuk studion në Shqipëri e as në Itali dhe familja nuk e dinte fillimisht përse ai ndodhej mes protestuesve. Nëna është ankuar për veprimet e efektivëve, ndërsa ka kritikuar gjithashtu edhe aktet e dhunës nga protestuesit, duke thënë se nuk është dakort që të digjet Shqipëria.
Ajo sqaroi gjithashtu se i riu është mirë dhe nuk ka përfunduar në Spitalin e Traumës, duke kundërshtuar disa raportime që kishin qarkulluar në rrjetet sociale. Po ashtu mohoi se familjarët ishin takuar me përfaqësues politikë pas incidentit.
“Nuk është student aspak. Ka punuar në Itali”, tha ajo, ndërsa për rrethanat e pranisë së tij në protestë u tregua e rezervuar, duke thënë se kishte edhe çështje private që nuk dëshironte t’i diskutonte publikisht.







