HomeKryesoreShqipëria ia kalon BE-së, Italisë e Gjermanisë për arsimin e lartë, por...

Shqipëria ia kalon BE-së, Italisë e Gjermanisë për arsimin e lartë, por Europa po na merr “trurin

Advertismentspot_img

Shqipëria ka një përqindje më të lartë të të rinjve me arsim të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, lë pas Italinë, Gjermaninë dhe Ballkanin Perëndimor.

Por ndërsa në arsim po arrijmë Europën, në të ardhura dhe mundësi ekonomike mbetemi shumë larg saj. Ironia është se vendet që kemi lënë pas në nivelin e shkollimit janë ndër ato që po përfitojnë nga largimi i profesionistëve shqiptarë.

Shqipëria është një hap përpara mesatares së Bashkimit Europian për peshën e të rinjve që kanë përfunduar arsimin e lartë.

Sipas të dhënave të Censit 2023 të INSTAT, 43.2% e popullsisë së moshës 25–34 vjeç kishte përfunduar arsimin terciar, përkundrejt 43.1% që ishte mesatarja e Bashkimit Europian për të njëjtin vit, sipas Eurostat. Ky është viti më i fundit kur INSTAT e raporton këtë tregues.

Diferenca është minimale, vetëm 0.1 pikë përqindjeje, por Shqipëria renditet më mirë se një pjesë e konsiderueshme e vendeve europiane dhe shumë më lart se ekonomitë e rajonit.

Në letër, të paktën për këtë tregues, Shqipëria e ka arritur Europën. Në praktikë, tregu shqiptar i punës, niveli i pagave dhe mundësitë për zhvillim profesional mbeten larg atyre që ofrojnë ekonomitë europiane.

Krahasimi më domethënës është me Italinë, një nga destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar. Në vitin 2023, vetëm 30.6% e të rinjve italianë të moshës 25–34 vjeç kishin përfunduar arsimin e lartë, sipas Eurostat, ose 12.6 pikë përqindjeje më pak se në Shqipëri.

Italia është ndër vendet me peshën më të ulët të të rinjve me arsim të lartë në Europë. Megjithatë, ekonomia italiane vazhdon të tërheqë shqiptarë të arsimuar, që gjejnë atje mundësi më të mira punësimi dhe të ardhurash.

Një kontrast i ngjashëm vërehet edhe me Gjermaninë. Në vitin 2023, 37.9% e të rinjve gjermanë kishin përfunduar arsimin e lartë, 5.3 pikë përqindjeje më pak se në Shqipëri.

Gjermania është kthyer vitet e fundit në një destinacion të rëndësishëm për emigrimin e profesionistëve shqiptarë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, por edhe për specialistë të teknologjisë së informacionit dhe profesione të tjera të kualifikuara.

Shqipëria, dukshëm mbi rajonin

Diferencat janë edhe më të mëdha me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në Serbi, në vitin 2023, 34.7% e të rinjve 25–34 vjeç kishin përfunduar arsimin e lartë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut treguesi ishte 32.3%. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, pesha ishte vetëm 26.6%.

Për Malin e Zi, e dhëna e përfshirë në krahasim i përket vitit 2020, kur treguesi ishte 40%,.

Në Europë, nivelet më të larta në vitin 2023 regjistroheshin në Irlandë (62.7%), Qipro (61.7%) dhe Luksemburg (60.2%). Në fund të renditjes ishin Rumania (22.5%), Bosnja dhe Hercegovina (26.6%) dhe Hungaria (30.1%). Italia, me 30.6%, ishte gjithashtu ndër vendet e fundit.

Shqipëria kishte një tregues më të lartë edhe se Austria, Portugalia, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria.

Europa merr kapitalin njerëzor që Shqipëria e ka të vështirë ta mbajë

Largimi i profesionistëve të kualifikuar është kthyer në një problem strukturor, veçanërisht në shëndetësi dhe në profesionet që kërkojnë aftësi të specializuara.

Sipas një analize të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të raportuar më herët nga Monitor, rreth 23% e shqiptarëve me arsim të lartë jetonin jashtë vendit në periudhën 2023–2024, ndërsa kthimet ishin shumë më të kufizuara.

Ndërsa Bashkimi Europian synon që deri në vitin 2030 të paktën 45% e të rinjve 25–34 vjeç të kenë përfunduar arsimin e lartë, Shqipëria ishte vetëm 1.8 pikë përqindjeje larg këtij objektivi që në vitin 2023./Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular