Sekretariati i Etikës në Kuvend do të mblidhet sot në orën 10:00, në një mbledhje online, për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste për përjashtimin e 20 deputetëve demokratë, pas tensioneve të regjistruara në seancën e djeshme parlamentare.
Për deputetët që akuzohen se kryen sulme fizike, konkretisht Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Fidel Kreka, Luçiano Boçi dhe Xhaferri, PS kërkon përjashtimin nga Kuvendi për një periudhë prej dy muajsh. Ndërkohë, për 14 deputetët e tjerë demokratë, të cilët bllokuan foltoren, kërkohet masa e përjashtimit për 10 ditë.
Gjatë seancës së djeshme, Flamur Noka sulmoi fizikisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka goditi me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.
Për deputetët Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili, Blendi Himçi që kanë marrë pjese në bllokimin e foltores duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare, kerkohet 10 ditë përjashtim.
Kujtojmë se pavarësisht përplasjeve të forta, në seancën plenare të ditës së djeshme u votuan 6 projektligjet e rendit të ditës dhe 3 projektvendime, mes të cilave edhe ngritja e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Territoriale.







