Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, ka konfirmuar se ka marrë një ofertë të çmendur për të shitur Napolin, me një grup arab që ishte gati të shpenzonte një shifër të pabesueshme për të blerë klubin që u shpall kampion dy herë në vitet e fundit në Serinë A.
“Rreth një vit më parë mora një kërkesë për takim nga një grup që nuk njihja, por për çështje edukate u përgjigja”, tha ai për “Radio Kiss Kiss” duke shpjeguar se kishte një takim mes avokatëve, por pa hyrë në thellësi, pasi projekti e shihte atë larg Napolit. “Fillimisht m’u tha se duhej të menaxhoja klubin, pastaj m’u zvogëlua ky rol derisa në fund u bëra president nderi”, shpjegoi ai pse kishte thënë jo një propozimi të parë
Në pas kishte ardhur interesimi nga Arabia Saudite. “Arabët deshën të më ofronin 3,5 miliardë euro por unë nuk desha të dilja në pension”, vijoi ai, duke bërë të qartë se nuk kishte ndër mend të linte rolin aktiv që ka në jetën e klubit i cili ka siguruar suksese shumë të rëndësishme në këto vite.
“Për momentin nuk kam menduar ta shes. Por nëse do të dëshiroja ta shisja, do të preferoja t’ia kaloja një napolitani dhe jo një amerikani. Çdokush nga ne e di mirë me kë të krijojë lidhje në shtëpinë e vet Nëse një napolitan ka dëshirë të më zëvendësojë pas 2,3 apo 5 vitesh, në rregull”, theksoi De Laurentis.







