Dhurata Kola Kaloshi
“Po mirë, mor mirë, po kush do ta marrë?”— dëgjova të thoshte dikush pranë meje, ndërsa turma e protestuesve para Kêshillit Evropian, në Bruksel, brohoriste: «Rama, jep dorëheqjen!».
“Ja, këta do ta marrin!” — iu drejtova e revoltuar, duke treguar me dorë një grup të rinjsh që ndodheshin aty pranë.
Në atë çast mendova se ishte thjesht shqetësimi i dikujt që i trembej përsëritjes së një situate të ngjashme me atë të vitit 1997, pasojat e së cilës i ndiejmë ende si shoqëri dhe si vend.
Por nuk kaluan shumë ditë dhe kjo pyetje filloi të qarkullonte gjithandej: në rrjetet sociale, në reagimet e njerëzve, në korin e mbështetësve të qeverisë, madje edhe ne mediat televizive.
Tashmë, nuk dukej si një shqetësim i çastit, por po merrte formën e një strategjie, një përpjekjeje për të mbjellë te njerëzit frikë, pasiguri dhe ankth për atë që mund të ndodhë nëse ai largohet.
Kjo taktikë, që luan me psikologjinë e njerëzve, nuk është e panjohur për shqiptarët. E kemi përjetuar edhe në vitin 1985, kur vdiq diktatori Enver Hoxha. Përtej vetë ngjarjes, mbi njerëzit rëndonte frika nga ajo që mund të vinte më pas. Pasiguria u shndërrua në një hije që i mbante të mpirë, të frikësuar, të paaftë për të imagjinuar se çfarë mund të ndodhte me vendin pas vdekjes së E. Hoxhës.
Qëllimi ishte të krijohej një efekt frenues, një lloj paralize kolektive, që të pengonte çdo përpjekje për ndryshim që mund të lindte nga pakënaqësia e njerëzve. Dhe, pavarësisht gjithçkaje, kjo taktikë pati efekt. Regjimi vazhdoi të qëndronte në këmbë, madje edhe më i ashpër se kurrë.
Në nivel psikologjik, kjo lloj propagande, prek një nga frikërat më të thella njerëzore: frikën nga e panjohura, nga pasiguria, nga ajo që mund të vijë më pas.
Njerëzit mund të jenë të pakënaqur me të tashmen, mund të jenë të lodhur nga keqqeverisja, nga padrejtësitë dhe nga mungesa e shpresës. Por, nëse arrin t’i bindësh se e nesërmja mund të jetë edhe më e keqe, atëherë vëmendja e tyre zhvendoset, nga hallet e përditëshme, tek frika për të nesërmen.
Dhe pikërisht këtu qëndron loja psikologjike që, siç duket, po luhet ndaj shqiptarëve, nga instrumente të ndryshme në mbështetje të pushtetit: t’u ngjallin frikën për të nesërmen, në mënyrë që ata të hezitojnë të kërkojnë ndryshimin.
Në thelb, Edi Rama po përpiqet ta paraqesë veten si të pazëvendësueshëm. Sikur Shqipëria të mos mund të ecë përpara pa të. Sikur e ardhmja e një vendi të tërë të varej nga qëndrimi në pushtet vetëm i një njeriu të vetëm.
Mesazhi që përcillet është i qartë: “E ardhmja juaj varet nga unë”.
Ai nuk ngurron t’i paraqesë sukseset e vendit si sukseset e veta, por, kur vjen puna te e ardhmja pa të, vë në pikëpyetje aftësinë e institucioneve dhe të vetë shoqërisë për të vazhduar përpara. Ky është një qëndrim që zbulon një vizion tejet të personalizuar të pushtetit, ku individi vendoset mbi institucionet dhe roli i tij paraqitet si i pazëvendësueshëm.
Por një vend nuk është pronë e kryeministrit të radhës. Dhe as e ardhmja e tij nuk mund të mbahet peng nga një individ i vetëm.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur Rama deklaron se, pa të, Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Për shqiptarët, integrimi evropian nuk është thjesht një proces politik. Është shpresë për më shumë mirëqenie, drejtësi, siguri, liri dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Është një ëndërr që shumëkush e ka pritur për vite me radhë.
Dhe pikërisht këtë shpresë ai duket se po përpiqet ta lidhë me qëndrimin e tij në pushtet, duke u përcjellë qytetarëve idenë se largimi i tij mund të rrezikojë gjithçka që ata kanë ëndërruar.
Në këtë mënyrë, kërkesa për ndryshim rrezikon të paraqitet si kërcënim për projektin evropian. Revolta ndaj qeverisjes së tij mund të ngatërrohet me rrezikimin e së ardhmes së vendit.
Dhe qytetari vihet përballë një zgjedhjeje që nuk duhet të ekzistojë: ose të pranojë vazhdimësinë, ose të rrezikojë të ardhmen e tij evropiane.
Por kjo është një dilemë e rreme.
Integrimi në Bashkimin Evropian nuk është pronë e Edi Ramës. Nuk është një dhuratë që ai ua bën shqiptarëve dhe as një privilegj që varet nga dëshira e tij për të qëndruar në pushtet. Është një proces institucional, që kërkon reforma, shtet të së drejtës, demokraci funksionale dhe përmbushjen e kritereve të anëtarësimit. Është një projekt i vendit dhe i qytetarëve të tij, jo i një kryeministri.
Shqipëria po vuan prej dekadash nga autokracia dhe nga përpjekjet për ta përqendruar pushtetin në duart e një individi. Por kjo nuk e ka penguar shoqërinë shqiptare të ngrihet sa herë që demokracia është vënë seriozisht në pikëpyetje. Nuk e ka penguar të protestojë, të kundërshtojë e të kërkojë ndryshim, qoftë edhe përmes mosbindjes civile.
Sepse një shoqëri nuk mund të mbahet pafundësisht peng nga frika.
Vota i jep pushtetit legjitimitetin për të qeverisur, por nuk i jep të drejtën të shpërfillë pakënaqësinë e qytetarëve. Nuk është një çek i bardhë dhe as një leje për të qeverisur pa përgjegjësi deri në fund të mandatit, sikur zëri i njerëzve të mos kishte më rëndësi.
Edhe kur një mandat është fituar në mënyrë të pakontestuar, kjo nuk do të thotë se pushteti mund të mbyllë veshët ndaj qytetarëve, të injorojë pakënaqësinë e tyre dhe ta përdorë votën si alibi për të mos dhënë llogari.
Populli ka të drejtë të ndryshojë qëndrim. Ka të drejtë të kërkojë llogaridhënie, të protestojë dhe të kërkojë ndryshim sa herë që mendon se pushteti nuk u shërben më interesave të vendit dhe të qytetarëve.
Demokracia nuk është vetëm dita kur votojmë. Është edhe e drejta për të kundërshtuar, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të mos u pajtuar me një pushtet që nuk na përfaqëson më.
Historia na ka mësuar se demokracia e një vendi nuk mund të mbështetet te besnikëria ndaj një individi. Ajo ndërtohet dhe forcohet përmes institucioneve, përmes përgjegjësisë dhe aftësisë së shoqërisë për të ecur përpara, për t’u reformuar dhe për të ndryshuar pa pasur nevojë për një udhëheqës që e shpall veten të pazëvendësueshëm.
Dhe pikërisht këtë po përpiqen t’i bëjnë të qartë kryeministrit të Shqipërisë studentët dhe qytetarët që kanë dalë në rrugë.
Ata nuk po kërkojnë që Shqipëria të mbetet pa të ardhme. Përkundrazi, po kërkojnë një të ardhme ku askush të mos jetë mbi vendin, mbi institucionet dhe mbi qytetarët e tij.
Ata kërkojnë largimin e tij nga pushteti.
Përgjegjësia politike kërkon që ai, këtë ta marrë përsipër duke dhënë dorëheqjen.
Kaq.
Dhurata Kola Kaloshi







