Arlinda Zekaj, 49-vjeçarja që dyshohet se u vra nga kunati i saj në Vitomiricë të Pejës, do të përcillet sot për në banesën e fundit. Ceremonia e varrimit do të mbahet në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës. Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik, veçanërisht pasi u bë e ditur se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet vetëm tri ditë para se të vritej.
Më 22 tetor, ajo i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe duke paralajmëruar për rrezikun që i kanosej.
“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo.







