Qeveria ka miratuar ditën e sotme përgjegjësitë dhe detyrat e Ministrisë së Administratës Shtetërore, që do të drejtohet nga Adea Pirdeni.
Në vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave, specifikohet fusha e veprimit dhe përgjegjësitë e kësaj ministrie që do të merret me menaxhimin e burimeve njerëzore, zhvillimin profesional të punonjësve, si dhe politikat e pagave dhe përfitimeve financiare. Në themel të saj qëndrojnë merita dhe rezultatet, një reflektim i qeverisë nga protestat e flamingove që vazhdimisht kanë kërkuar që administrata publike të rekrutojë edhe persona që s’janë tashmë pjesë e saj.
Ministria do të merret me thjeshtimin e procedurave administrative dhe reduktimin e barrës burokratike për qytetarët si dhe me rritjen e përgjegjshmërisë e transparencës. Një përgjegjësi e saj është edhe lufta kundër korrupsionit për “identifikimin, vlerësimin e minimizimin e rreziqeve të korrupsionit në sektorët me risk, si dhe monitorimin e zbatimit të politikave e të masave antikorrupsion.”
Ministri do të ushtrojë edhe rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, si dhe do të jetë bashkëdrejtues i Komitetit Shumëpalësh të Partneritetit për Qeverisje të Hapur.







