Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka rrëzuar ankimimin e dytë të Ervin Matës kundër ekstradimit në Shqipëri.
Trupa gjykuese vlerësoi se mbrojtja nuk kishte paraqitur argumente të mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje vendimin e mëparshëm që miratonte ekstradimin e Matës drejt Shqipërisë.
Ervin Mata pretendonte se nuk ishin marrë parasysh kërkesa për pezullimin e procedurës deri në shqyrtimin e kërkesës së tij për azil në Brazil, ekzistenca e një hetimi policor ndaj tij në këtë shtet, si dhe pretendimi se Shqipëria nuk kishte juridiksion për ta gjykuar.
Përmes këtij vendimi, gjykata urdhëroi që vendimi të certifikohet si i formës së prerë, pa pritur publikimin e tij.
Më herët, Gjykata Supreme Federale kishte miratuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës. Megjithatë, vendimi përfundimtar nuk varet vetëm nga procedura gjyqësore, pasi kërkohet edhe vlerësimi i Presidentit të Brazilit, si dhe formalizimi nga pala shqiptare i angazhimeve të parashikuara në legjislacionin brazilian.
Ervin Mata u arrestua në prill të vitit 2026 në Ilha Bela të Brazilit. Ai përdorte dokumente angleze për t’iu fshehur autoriteteve pasi ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arrest nga Gjykata e Lartë Federale e Brazilit. Po ashtu, edhe shteti shqiptar kërkonte arrestimin e tij që nga viti 2023.
Në vitin 2023, Ervin Mata u shpall në kërkim nga SPAK si pjesë e një grupi kriminal me 11 persona, i cili dyshohet për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në veçanti, Mata akuzohet se koordinoi grupin për trafikimin e 250 kilogramëve kokainë, ngarkesë e nisur nga Brazili në aeroportit të Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2020.







