Në të dielën e V të Llukait, Mitropoliti orthodhoks i Korçës, Imzot Anastasi, mori pjesë këtë të diel në bashkëmeshim me Mitropolitë të ndryshëm në kishën e “Shpërfytyrimit të Zotit” në Aleksandropuli të Greqisë.
Imzot Anastasi meshoi shqip, teksa ndodhet në këtë qytet në kuadër të Konferencës së Pelegrinëve Fetarë.
Në përshëndetjen e tij drejtuar pjesëmarrësve, Hirësi Anastasi përcolli përshëndetjet dhe bekimet e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Joanit, si dhe dashurinë vëllazërore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në vijim, theksoi rëndësinë e pelegrinazhit si përvojë e gjallë besimi, lutjeje dhe ripërtëritjeje shpirtërore, që forcon vetëdijen e përkatësisë sonë në një Trup të vetëm të Krishtit.
Duke iu referuar tematikës së Kongresit, ai vuri në dukje vlerat shpirtërore të traditës monastike, veçanërisht të mikpritjes dhe të tryezës së përbashkët, si shprehje konkrete të dashurisë së krishterë dhe të jetës në bashkësi.
Prej vitesh tanimë është bërë traditë që klerikët nga Shqipëria të meshojnë shqip jo vetëm në Greqi, teksa kujtojmë Shërbesat në Malin e Shenjtë apo në Kretë.







