Ora dimërore ka sjellë ndryshim të orarit në shërbimin kufitar në Qafë Botë, pasi pika kufitare, nga dita e hënë e në vijim do të funksionojë nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 21:00 të mbrëmjes.
Ndryshimi i orarit, veprim i ndërmarrë nga pala greke, prek udhëtarët dhe automjetet që përdorin këtë pikë për të kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, në të dyja drejtimet.
Dogana greke e Mavromatit rikthehet me orar më të kufizuar shërbimi, pas zgjatjes së tij me dy orë, gjatë sezonit veror.
Në muajin maj 2026 orari u zgjerua me 2 orë, duke nisur nga 05:00 në mëngjes deri në orën 23:00 në mbrëmje me orën shqiptare ose nga 06:00 deri në 24:00 me orën greke.
Me rikthimin e orarit dimëror, koha e funksionimit në pikën e kalimit kufitar të Qafë Botës reduktohet me katër orë në ditë. Me pak fjalë hapja e pikës kufitare do të bëhet dy orë më vonë dhe mbyllja dy orë më herët, në krahasim me orën verore.
Për rrjedhojë, qytetarë që planifikojnë të udhëtojnë përmes Qafë Botës për në Greqi duhet të mbajnë parasysh lëvizjen në orarin 07:00-21:00 me orën shqiptare, për të shmangur vonesat.







