Një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave është goditur ditën e sotme në Fier. Raportohet se 4 persona kanë rënë në pranga, teksa një është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit fizik të personave të ndaluar, policia sekuestroi 2.9 kg kanabis, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.
Sipas njoftimit, policia ishte duke e ndjekur prej disa muajsh grupin kriminal, që kryesisht shpërndante lëndë narkotike pranë shkollave, duke shënjestruar adoleshentët.
Njoftimi i policisë:
DVP Fier/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Clean School”.
Goditet një grup kriminal që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave. Vihen në pranga 4 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Sekuestrohen 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celularë.
Pas një hetimi disa mujor, të ndjekur me metoda speciale të hetimit, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u bë i mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të pjesëtarëve të një grupi që shpërndante lëndë narkotike në afërsi të institucioneve arsimore në qarkun Fier.
Bazuar në provat e siguruara, Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, finalizoi operacionin policor të koduar “Clean School”.
Gjatë operacionit u ekzekutuan 4 nga masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata, konkretisht për shtetasit:
K. B., 28 vjeç, D. F., 25 vjeç, M. Zh., 48 vjeç dhe T. Ç., 52 vjeç, të katërt banues në Fier.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 38 vjeç, banues në Fier, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e personave të arrestuar, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.9 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate telefonike celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
DVP Fier vijon angazhimin për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, me fokus të veçantë parandalimin dhe luftën kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të institucioneve arsimore, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe komunitetit.







