Moderatori i njohur Italian, Paolo Bonolis, ka konfirmuar publikisht lidhjen e tij të re me sipërmarrësen 32-vjeçare Carola Moroni, duke i dhënë fund thashethemeve që prej kohësh qarkullonin në mediat italiane për jetën e tij sentimentale.
65-vjeçari, një prej figurave më të njohura të televizionit italian, vendosi të flasë vetë për romancën e re, pasi ishte fotografuar së fundmi në Londër në shoqërinë e Carolës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bonolis nuk e fshehu lumturinë që po përjeton në këtë periudhë.
“Po frekuentoj një grua që më pëlqen shumë, Carolën dhe po kaloj një kohë vërtet të këndshme me të”, shkroi moderatori, duke konfirmuar kështu lidhjen me 32-vjeçaren nga Roma.
Përveç romancës së re, Bonolis foli edhe për marrëdhënien me ish-bashkëshorten e tij, Sonia Bruganelli, duke mohuar zërat për konflikte apo tensione mes tyre.
Sipas moderatorit, ata vijojnë të kenë një marrëdhënie të mirë dhe bashkëpunojnë edhe në aspektin profesional, duke vendosur gjithmonë në plan të parë mirëqenien e fëmijëve të tyre.
Ai zbuloi gjithashtu se Sonia ka një partner, për të cilin shprehu vlerësim, ndërsa shtoi se edhe ish-bashkëshortja e tij e pëlqen Carolën.
Në fund të reagimit, Bonolis nuk la mënjanë as ironinë. Ai iu sugjeroi personave që kërkojnë vazhdimisht sekrete dhe histori të bujshme për jetën e tij private të lexojnë libra fantazie, duke përmendur në veçanti serinë “The Dark Tower” të shkrimtarit Stephen King.







