Një ndërprerje e papritur e komunikimeve në sistemin e kontrollit të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aviacionin amerikan, duke detyruar Administratën Federale të Aviacionit (FAA) të marrë një vendim të jashtëzakonshëm për ndalimin e të gjitha nisjeve të avionëve nga aeroportet në Shtetet e Bashkuara. Vendimi u mor të premten, më 13 nëntor, pas problemeve të raportuara në disa qendra rajonale të kontrollit ajror. Në njoftimin zyrtar, FAA e justifikoi masën me “rrethana të jashtëzakonshme dhe arsye sigurie”, duke urdhëruar që të gjitha fluturimet në nisje të qëndronin në tokë deri në një njoftim të dytë.
Sipas Associated Press (AP), ndërprerja preku 22 qendrat rajonale të kontrollit të trafikut ajror, të cilat janë përgjegjëse për drejtimin e avionëve gjatë udhëtimit nga një aeroport në tjetrin.
Çfarë e shkaktoi paralizimin e trafikut ajror?
Sipas informacionit të bërë publik nga FAA, shkaku i menjëhershëm ishte një problem në komunikimet telekomunikuese që përdoren nga qendrat e kontrollit ajror. Një zëdhënës i agjencisë konfirmoi se problemet prekën disa qendra të kontrollit të rrugëve ajrore, ndërsa teknikët e FAA-së nisën hetimet për të identifikuar defektin dhe për të rikthyer funksionimin normal.
Më konkretisht, dy burime të FAA-së, të cituara nga ëashington Examiner në një raportim të publikuar nga revista PEOPLE, folën për një ndërprerje të njëpasnjëshme të frekuencave të komunikimit (rolling frequency outage), që prekte strukturat përgjegjëse për monitorimin e avionëve në ajër.
Megjithatë, deri në informacionet e fundit, nuk ishte bërë publik shkaku teknik që solli këtë ndërprerje. Pra, është konfirmuar problemi në komunikime, por jo origjina e defektit.
A ishte sulm kibernetik? Çfarë thotë Markwayne Mullin?
Një nga pikëpyetjet kryesore pas vendimit të paprecedentë ishte nëse SHBA ishte përballur me një sulm kibernetik apo një ndërhyrje të qëllimshme në sistemet e saj të sigurisë. Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, deklaroi se deri në atë moment nuk kishte indikacione për një sulm kibernetik apo një veprim të qëllimshëm kundër infrastrukturës amerikane.
Ai e përshkroi ngjarjen si një ndërprerje të telekomunikacionit dhe theksoi se autoritetet po punonin për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur.
Mullin u përpoq gjithashtu të qetësonte qytetarët, duke garantuar se avionët që ndodheshin në ajër ishin të identifikuar dhe se nuk kishte arsye për panik.
Ai nuk konfirmoi ndonjë lidhje mes defektit dhe ndërprerjes së shërbimeve të Microsoft një ditë më parë. Edhe kompania Microsoft deklaroi se nuk kishte të dhëna që dy incidentet të kishin lidhje me njëri-tjetrin.
Pse u ndaluan të gjitha avionët dhe çfarë ndodhi me ata që ishin në ajër?
Ndalimi i të gjitha nisjeve ishte një masë parandaluese për sigurinë. Qendrat rajonale të kontrollit ajror kanë përgjegjësinë të monitorojnë dhe drejtojnë avionët gjatë fluturimit, duke siguruar komunikimin mes pilotëve dhe kontrollorëve, si dhe koordinimin e lëvizjeve në hapësirën ajrore.
Në kushtet kur këto sisteme nuk funksiononin normalisht, lejimi i avionëve të rinj për t’u ngritur mund të krijonte rrezik për menaxhimin e trafikut ajror.
Për këtë arsye, FAA vendosi të ndalojë nisjet, ndërsa avionët që ndodheshin tashmë në ajër u lejuan të vazhdonin fluturimin dhe të uleshin në destinacionet e tyre. Fluturimet ndërkombëtare që mbërrinin në SHBA do të trajtoheshin rast pas rasti.
Mbi 9 mijë fluturime të prekura, aeroportet në kaos
Vendimi i FAA-së solli pasoja të menjëhershme në aeroportet amerikane, ku mijëra pasagjerë mbetën në pritje të informacionit për fluturimet e tyre.
Sipas të dhënave të Flightaware, të cituara nga Los Angeles Times, deri në orën 14:30, sipas kohës lokale amerikane, ishin regjistruar mbi 9,900 fluturime të vonuara dhe rreth 900 të anuluara në të gjithë vendin.
Në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, mbi 550 fluturime rezultonin të vonuara dhe 47 të anuluara në të njëjtën periudhë.
Kompani të mëdha ajrore, përfshirë United Airlines dhe American Airlines, paralajmëruan pasagjerët për ndërprerjet dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve.
Një precedent i rrallë në historinë e aviacionit amerikan
Ndalimi kombëtar i të gjitha nisjeve është një masë që përdoret jashtëzakonisht rrallë në SHBA. Sipas Associated Press dhe Reuters, rasti i fundit i këtij përmasimi ishte në janar 2023, kur një defekt në sistemin NOTAM, i përdorur për shpërndarjen e njoftimeve të rëndësishme të sigurisë për pilotët, detyroi FAA-në të pezullonte përkohësisht nisjet e avionëve.
Ndërsa më herët, një ndalim kombëtar ishte vendosur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ngjarja e fundit ka rikthyer në vëmendje edhe debatin për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të aviacionit amerikan. Reuters rikujton se Kongresi kishte miratuar 12.5 miliardë dollarë për modernizimin e sistemeve të komunikimit të FAA-së, ndërsa agjencia dhe Shtëpia e Bardhë kishin kërkuar fonde të tjera për përmirësimin e infrastrukturës.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim se infrastruktura e vjetëruar ishte shkaku konkret i defektit të 13 nëntorit.
Hetimet e autoriteteve amerikane pritet të përcaktojnë nëse bëhej fjalë për një defekt teknik në sistemet e telekomunikacionit, një problem në pajisjet e komunikimit apo një dështim më të gjerë të infrastrukturës së kontrollit ajror.







