Vendi ynë pritet të përfshihet këtë të shtunë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura dhe intervale të herëpashershme kthjellimesh.
Sipas parashikimit meteorologjik, reshjet e shiut do të nisin që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në ekstremin veriperëndimor.
Gjatë ditës, reshjet do të vijojnë të jenë të pranishme në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të ulët. Ndërkohë, në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore priten reshje me intensitet deri mesatar, të cilat herë pas here mund të shoqërohen me shtrëngata afatshkurtra.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare 8 m/s. Herë pas here, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 16 m/s, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 4-6 ballë.







