Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë për përfshirjen në 18 vjedhje dhe tentativa grabitjesh në banesa, ndërsa ndaj tyre është vendosur edhe ndalimi i përhershëm i hyrjes në territorin francez
Katër shtetas shqiptarë, të moshës rreth 30 vjeç, janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi u shpallën fajtorë për një seri vjedhjesh dhe tentativash për grabitje në banesa. Vendimi u dha më 13 nëntor nga Gjykata e Colmarit, pas një hetimi disa-javor të zhvilluar nga xhandarmëria franceze.
Sipas mediave franceze, grupi dyshohet se ishte përfshirë në 18 raste kriminale, të regjistruara në disa komuna të rajonit Haut-Rhin dhe në departamente fqinje. Në banesat e shënjestruara, autorët kishin marrë kryesisht bizhuteri, ora, para të gatshme dhe pajisje elektronike.
Hetimi u drejtua nga Brigade de recherches në Colmar, e cila për disa javë ndoqi lëvizjet e të dyshuarve. Për identifikimin e tyre, hetuesit analizuan të dhënat telefonike, mblodhën dëshmi dhe mbajtën nën vëzhgim një automjet tip Audi, që dyshohet se përdorej nga grupi gjatë lëvizjeve në zona të ndryshme.
Sipas portalit francez Remiremont Vallées, pavarësisht ndryshimit të automjeteve, numrave të telefonit dhe vendeve ku qëndronin, policia arriti të rindërtonte një pjesë të lëvizjeve të tyre dhe t’i lidhte me 18 episodet e dyshuara.
Operacioni për arrestimin e tyre u zhvillua më 6 nëntor 2026, në një objekt akomodimi në Mortagne, në rajonin e Vosges. Gjatë kontrollit, xhandarmëria sekuestroi rreth 20 mijë euro para të gatshme, një sasi të konsiderueshme bizhuterish dhe disa telefona celularë.
Vjedhjet dhe tentativat për grabitje kishin shkaktuar shqetësim të madh te banorët e zonave të prekura. Gjatë procesit gjyqësor, disa prej viktimave treguan për dëmet materiale, por edhe për pasojat psikologjike që kishin përjetuar pas ndërhyrjeve në banesat e tyre.
Në Turckheim, një prej banesave të shënjestruara kishte pësuar dëmtime në grilat elektrike dhe dritare. Për të hyrë brenda, autorët kishin përdorur një darë për skarë, të marrë nga kopshti i shtëpisë. Pasi kishin hyrë, ata kishin përmbysur të gjitha ambientet, por nuk kishin arritur të merrnin asgjë.
Një tjetër rast u regjistrua në Zimmerbach, ku pronarja e një banese u njoftua nga fqinja se dritarja e shtëpisë së saj kishte qëndruar e hapur për dy ditë.
“Kanë shkaktuar shumë dëme për shumë pak gjëra”, ishte shprehur një prej banoreve të prekura, duke përshkruar gjendjen në banesën e saj pas ngjarjes.
Raste të tjera janë raportuar në Labaroche, Munster, Porte-du-Ried dhe Rosières-aux-Salines, në departamentin Meurthe-et-Moselle. Mes sendeve të vjedhura në këto banesa përmenden bizhuteri dhe një konsolë lojërash PlayStation 5.
Gjatë procesit gjyqësor, katër të pandehurit kanë kundërshtuar akuzat dhe kanë mohuar përfshirjen në ngjarjet e regjistruara. Megjithatë, provat e mbledhura gjatë hetimit, përfshirë të dhënat telefonike, vëzhgimet dhe dëshmitë, u morën në konsideratë nga gjykata.
Prokuroria kishte kërkuar tre vite burg për secilin prej tyre dhe gjykata vendosi të pranojë këtë kërkesë.
Të katër shtetasit shqiptarë u dënuan me nga tre vite burgim, me qëndrim të menjëhershëm në burg. Gjithashtu, ndaj tyre u vendos edhe ndalimi i përhershëm i hyrjes në territorin francez, masë që do të zbatohet pas përfundimit të dënimit.
Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e sendeve të sekuestruara, kthimin e sendeve të vjedhura që janë identifikuar te pronarët e tyre, si dhe dëmshpërblimin e viktimave për humbjet e pësuara.







