Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar rikthimin në protesta paqësore nëse institucionet nuk japin një zgjidhje konkrete për kërkesën që provimi i jurisprudencës të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe.
Përfaqësuesi i studentëve, Mevlan Ademi, bëri të ditur se javën e ardhshme grupi organizativ do të mblidhet për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.
Ai theksoi se para rikthimit në protesta do të shqyrtohet edhe mundësia e një takimi të fundit me institucionet, nga të cilat kërkojnë një përgjigje të qartë se kur dhe si do të mund të jepet provimi në shqip.
Studentët kundërshtojnë vendimin e Qeverisë për dërgimin e propozimit në Komisionin e Venecias, duke e cilësuar si zvarritje të çështjes. Sipas tyre, Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e garantojnë tashmë të drejtën e përdorimit të shqipes.
Ademi kritikoi edhe propozimin e kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili parashikon që pjesa teorike e provimit të zhvillohet në shqip, maqedonisht, anglisht ose turqisht, ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht.
“Që më 10 shkurt, Kryeministri foli publikisht për dërgimin e një propozimi në Komisionin e Venecias. Nëse Qeveria e konsideronte të domosdoshëm këtë mendim, përse nuk veproi që atëherë? Përse priti nëntë muaj për të kërkuar në nëntor një mendim që tani e quan urgjent? Duke e lidhur përdorimin e shqipes vetëm me gjuhën në të cilën ka studiuar kandidati, ai anashkalon Kushtetutën dhe shpërfill një fakt themelor: shqipja është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Kjo praktikë është e rrezikshme, sepse e kthen pas përdorimin zyrtar të shqipes”, theksoi Ademi.
Çështja u ngrit në fillim të këtij viti, kur rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike, nënshkruan një peticion për zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë kryer studimet. Deri më tani, studentët kanë organizuar dy herë protesta për këtë kërkesë.







