Në kuadër të 114-të vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” organizoi tryezën shkencore me temë “Kontributi i Hasit për Pavarësinë e Shqipërisë”. Tryeza u mbajt në Kullën-Muze të Kurpalëve, në Letaj të Hasit.
-Fjalen e hapjes në emër të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Hasi” e mori z. Man Poga i cili falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen, shprehu mirënjohjen për historianet dhe studiuesit nga Instituti i Historisë së Shqipërisë dhe Institutit të Historisë së Kosovës, pedagoget nga Universiteti i Prishtinës, Gjakovës dhe Tiranës për angazhimin e tyre në këtë nismë me shumë rëndësi për studimin dhe dokumentimin e Historisë së Hasit, ai theksoi që jo rastësisht u zgjodh Kulla e Kurpaleve si vend për realizimin e kësaj tryezë, pasi kjo kulle muze pranë Qaf-Prushit, mbetet simbol i qëndresës, trimërisë dhe kontributit të Hasit në luftrat për liri dhe Pavarësi.
-Fjalën përshëndetëse në emër të Familjes Kurpali e mbajti Ing. Avni Kurpali, si pasardhës i familjes Kurpali dhe si vazhdues i përpjekjeve për ruajtjen, evidentimin dhe promovimin e trashëgimisë historike të kësaj familjeje, ai shprehu mirënjohjen e sinqertë për organizimin e kësaj tryeze shkencore.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, ishte një proces historik ku Hasi dhe familjet atdhetare dhanë një kontribut të çmuar, mes tyre edhe familja Kurpali e Letajt, me figura të spikatura si Hazir dhe Bajram Syl Kurpali e shumë të tjerë.
Sot, përmes restaurimit dhe muzealizimit të Kullës së Kurpalëve, synojmë ta ruajmë dhe ta përcjellim këtë trashëgimi.
Është detyra jonë ta ruajmë kujtesën historike dhe e historianëve ta dokumentojnë atë, që kontributi i të parëve tanë të marrë vendin që meriton në historinë kombëtare,
-Punimet e tryezës u drejtuan nga Prof. Asoc. Dr. Sali Kadria, ndërsa studiuesit paraqitën kumtesat e tyre si më poshtë:
Nën/Kyetari i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Hasi”, Prof. Nexhat Çoçaj trajtoj temen– “Hasi në rrugën drejt Pavarësisë: organizimi vendor në dritën e raporteve konsullore austro-hungareze”.
Prof. Asoc. Dr. Sali Kadria – Kryengritja shqiptare e vitit 1912 dhe kontributi i Hasit.
Prof. Dr. Bedri Muhadri – Gjakova në vitet 1912–1914 dhe përfshirja në Komisionin për Caktimin e Kufirit Verior të Shqipërisë.
Prof. Dr. Besim Muhadri – Kulla e Kurpalëve dhe Kurpalët: qëndresa, atdhetaria, liria, pavarësia dhe bashkimi kombëtar.
Dr. Zog Çoçaj – Kontributi i Hasit për Pavarësinë e Shqipërisë.
Kumtesat sollën këndvështrime historike dhe dokumentare mbi ngjarjet, personalitetet dhe përpjekjet e hasjanëve, duke dëshmuar se Hasi ka qenë pjesë e pandarë e përpjekjeve kombëtare shqiptare.
Nga kumtesat e mbajtura u vu në pah roli i hasjanëve në organizimin e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910 – 1912, u trajtua beteja e Qaf-Prushit kunder trupave Turke, kuvendet në Gjonaj dhe Krumë, dhe bashkëpunimi me kreret si Hasan Prishtina, Isa Boletini dhe Bajram Curri e deri tek dëshmorët që ranë për Pavarësisë e Shqipërisë.
Bazuar në dokumetet arkivore u vu theksi që në Has kanë filluar pushkët e para të kryengritjes së vitit 1912, e që më pas u përhapën në gjithë hapësirat shqiptare dhe në këtë mënyrë rrugëtimi i Pavarësisë së Shqipërisë është shtruar edhe me gjakun e bijve të Hasit.
Në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë për shkak të luftimeve me forcat serbe, nuk arritën të marrin pjesë as krerët e Hasit, të cilët nuk u ndalën duke u përballur edhe me forcat serbe.
Tryeza shkencore në Kullën-Muze të Kurpalëve përbën një nismë të rëndësishme të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Hasi” për të nxitur kërkimin shkencor, evidentimin e dokumenteve arkivore dhe promovimin e personaliteteve e familjeve që kanë kontribuar në historinë kombëtare.







