HomeAktualitetE mahnitur nga Shqipëria! Rrëfimi i britanikes që la Londrën për Himarën:...

E mahnitur nga Shqipëria! Rrëfimi i britanikes që la Londrën për Himarën: Kursej 60% të rrogës dhe jetoj si me pushime çdo ditë

Advertismentspot_img

Rëfimi i britanikes që la metropolin londinez për qetësinë e Himarës, ku sot shpenzon më pak se gjysmën e parave dhe shijon jetën pranë detit

Një britanike 32-vjeçare ka vendosur të lërë pas jetën në Londër për t’u zhvendosur në Shqipëri, ku thotë se ka gjetur jo vetëm qetësinë dhe një stil jetese më cilësor, por edhe mundësinë për të kursyer një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të saj.

Shirley Johnson, me profesion dizajnere grafike, u largua nga Londra në vitin 2023, pasi humbi dy nga angazhimet e saj të punës si freelance dhe nuk mund të përballonte më qiranë e lartë të banesës. Për dhomën në një apartament të përbashkët paguante rreth 1,200 paund në muaj.

Pas një pushimi në Himarë në vitin 2021, ajo ishte mahnitur nga bukuria e zonës dhe nisi të mendonte për një jetë të re në Rivierën Shqiptare. Kështu, vendosi të transferohej në qytetin bregdetar, ku sot jeton në një studio moderne pranë detit, për të cilën paguan vetëm 300 paund në muaj.

Sipas saj, shpenzimet mujore, përfshirë qiranë, janë pak më shumë se 600 paund, ndërsa arrin të kursejë deri në 60% të të ardhurave të saj, në krahasim me periudhën kur jetonte dhe punonte në Londër.

“Ende nuk mund ta besoj që jetoj në Shqipëri, ndoshta një nga vendet më të lira dhe sekretet më të ruajtura të Evropës, larg turizmit masiv. Tingëllon si pushime, por nuk është e tillë”, shprehet Johnson.

Ajo punon në distancë si dizajnere grafike për klientë të huaj, ndërsa të ardhurat i ka shtuar edhe përmes mësimit online të gjuhës angleze për fëmijët shqiptarë.

Britanikja tregon se në Himarë ka gjetur një standard jetese që nuk mund ta përballonte në kryeqytetin britanik. Shpenzimet për ushqimet janë rreth 120 paund në muaj, ndërsa faturat e energjisë elektrike, ujit dhe mbetjeve arrijnë në afërsisht 70 paund. Në Londër, vetëm faturat mujore i kushtonin rreth 250 paund.

Edhe të ngrënit jashtë është kthyer në një pjesë të përditshmërisë së saj. Një drekë me dy pjata në një restorant tradicional kushton rreth 8 paund, ndërsa një darkë me disa pjata, prodhime deti dhe verë mund të shkojë në rreth 25 paund.

Një tjetër dëshirë që arriti të realizonte pas largimit nga Londra ishte blerja e një qeni të racës Rottweiler. Këlyshin e saj, të cilin e ka quajtur Jack, e bleu për më pak se 500 paund, ndërsa në Londër nuk kishte as hapësirën dhe as mundësitë financiare për të mbajtur një të tillë.

Përveç kostos së ulët të jetesës, Johnson thotë se është dashuruar me natyrën, plazhet dhe ritmin e qetë të Himarës. Mes vendeve të saj të preferuara përmend plazhet e Akuariumit në Jal dhe Livadhit, të cilat i viziton në këmbë ose me varkë.

Ajo vlerëson gjithashtu qytetin e vjetër të Himarës, me shtëpitë tradicionale prej guri, rrugicat e ngushta me kalldrëm dhe pamjet panoramike mbi detin Jon.

Edhe pse pranon se gjatë verës zona bëhet më e frekuentuar nga turistët, ajo thotë se vjeshta dhe dimri janë periudhat që i pëlqejnë më shumë, për shkak të qetësisë dhe mungesës së turmave.

Johnson tregon se nuk ndihet e vetmuar, pasi puna, kujdesi për qenin dhe njohjet e reja me banorët vendas e mbajnë të angazhuar. Ajo ka nisur gjithashtu të mësojë gjuhën shqipe përmes kurseve online.

“Jam e lumtur këtu dhe nuk është vetëm për shkak të parave që kursej. Balanca mes punës dhe jetës është ideale. Kaloj ditët në plazh me laptopin tim dhe bëj shëtitje të gjata me Jack. Nuk më mungon asgjë nga Londra”, shprehet ajo.

Në fund, britanikja thekson se me lejen e qëndrimit për punonjësit në distancë, sipas saj, i mjafton një e ardhur mujore prej të paktën 400 paund për të jetuar në Shqipëri, ndërsa pjesën tjetër të kohës mund ta shfrytëzojë për të shijuar jetën në Rivierën Shqiptare.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular