Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka prezantuar në Ambasadën Amerikane traditën “Payday Activities”, një praktikë e njohur e ushtrisë amerikane, që synon forcimin e frymës së ekipit dhe vlerësimin e kontributit të punonjësve.
Gjatë këtij aktiviteti, stafi i Ambasadës u mblodh për të mirëpritur kolegët e rinj, për të nderuar ata që po përfundojnë angazhimin e tyre, si dhe për të vlerësuar punonjësit që kanë dhënë kontribut përtej detyrimeve të tyre zyrtare.
Përmes një mesazhi të publikuar nga Ambasada, theksohet se tradita të tilla kanë si qëllim bashkimin e njerëzve dhe forcimin e bashkëpunimit mes anëtarëve të ekipit.
Sipas mesazhit, ky grup punon çdo ditë për të kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, me synimin për t’i bërë të dyja vendet më të forta, më të begata dhe më të sigurta.
“Prej Luftës Amerikane për Pavarësi e deri më sot, traditat më të mira janë ato që i bashkojnë njerëzit. Ambasadori Wendt prezantoi së fundmi në Ambasadë “Payday Activities”, një traditë krenare e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.
Duke u mbledhur si një ekip në Ambasadë, u uruam mirëseardhjen kolegëve të rinj, nderuam ata që po largohen dhe vlerësuam anëtarët e ekipit që kanë bërë edhe më shumë seç u kërkonte detyra.
Çdo ditë, ky grup i jashtëzakonshëm punon së bashku për t’i bërë Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë më të forta, më të begata dhe më të sigurta”, shkruan Ambasada e SHBA-së në Tiranë.







