Një vrasje e ndodhur 23 vite më parë në Itali ka marrë një kthesë të re. Policia ka arrestuar ish-të dashurin e Maria Rita Valerios, e cila u gjet e vrarë më 20 dhjetor 2003 në zonën rurale të Capursos, në provincën e Barit.
Viktima ishte vetëm 25 vjeçe dhe njihej në atë kohë edhe si aktore e sitcom-it lokal italian “Fuori Sede”, transmetuar në televizionin Antenna Sud në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000.
Trupi i saj u gjet i shtrirë në baltë, tri ditë pasi ishte larguar nga banesa. Sipas hetimeve, e reja ishte goditur 12 herë në kokë me një shkop.
Arrestimi erdhi pas një hetimi të ri të koordinuar nga Prokuroria e Barit dhe të zhvilluar nga Policia. Hetuesit rishqyrtuan provat e mbledhura gjatë hetimeve fillestare, duke i analizuar ato në një këndvështrim të ri.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes kanë luajtur edhe përgjimet, të cilat nxorën në pah elemente të reja për hetimin.
Autoritetet shfrytëzuan gjithashtu rezultatet e analizave të kryera nga laboratorët e Policisë Shkencore dhe nga RIS-i i Karabinierëve në Romë.
I dyshuari është dërguar në burg, ku do të qëndrojë në pritje të marrjes në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake në Bari, i cili ka lëshuar masën e sigurisë.









