GREQI – Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 24-vjeçarit me shtetësi bullgare në Dramë të Greqisë, ku një blegtor 50-vjeçar e qëlloi për vdekje me armë zjarri në një stallë bagëtish dhe më pas e varrosi në një parcelë toke.
Autori, i cili ka pranuar krimin, kishte qenë që në fillim në shënjestrën e policisë, që kur ishte thirrur për të dhënë deklarime.
50-vjeçari, i cili ishte thirrur për të dhënë informacione lidhur me zhdukjen e 24-vjeçarit bullgar, të raportuar që prej 21 nëntorit, kishte rënë në kontradikta gjatë dëshmisë së tij.
Hetimet e efektivëve të Sigurisë së Dramës, me ndihmën e një grupi special të Nëndrejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar në Greqinë Veriore, dhanë rezultat. Në fund, 50-vjeçari pranoi veprat e kryera, të cilat i justifikoi me konflikte personale.
Madje, autori dyshohet se ka deklaruar se i riu i kërkonte vazhdimisht para, i merrte ato prej tij dhe e vidhte.
Sipas televizionit shtetëror grek ERT, pasi konstatuan kontradiktat në dëshminë e 50-vjeçarit, policët kontrolluan edhe banesën e tij, pasi e dinin se ai zotëronte me leje dy armë gjahu, por njëra prej tyre mungonte.
E qëlloi me armë dhe e varrosi në një parcelë toke
50-vjeçari grek pranoi gjatë natës, në një tjetër seancë marrjeje në pyetje, se ishte ai që e kishte qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e 21 nëntorit, duke e vrarë në stallën e tij të bagëtive.
Më pas, ai e kishte ngarkuar trupin në automjetin tip furgon të vetë viktimës dhe ishte drejtuar drejt një zone bujqësore, ku e kishte varrosur.
Më tej, sipas deklarimeve të tij, ai kishte telefonuar nipin dhe i kishte kërkuar të shkonte në atë vend për ta marrë. Kështu ndodhi dhe, si pasojë, edhe nipi u arrestua për bashkëpunim në krim.
Megjithatë, deri më tani nuk është vërtetuar nëse nipi e dinte se çfarë kishte bërë xhaxhai i tij.
Hetimet vijojnë për gjetjen e armës së përdorur në vrasje, të cilën autori dyshohet se e ka hedhur për të zhdukur gjurmët.









