Shqipëria feston sot 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. 28 Nëntori, i njohur si Dita e Flamurit, është një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare dhe një simbol bashkimi për shqiptarët kudo që ndodhen.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke i dhënë fund sundimit gati pesëshekullor osman dhe duke hedhur themelet e shtetit të pavarur shqiptar.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, në cilësinë e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, si dhe shtetet ballkanike, duke kërkuar njohjen e shtetit të ri shqiptar.
Akti i Shpalljes së Pavarësisë ishte kurorëzimi i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Ai shënoi një kthesë vendimtare në historinë kombëtare, duke i dhënë popullit shqiptar të drejtën e pamohueshme për të qenë i lirë dhe për të ndërtuar shtetin e tij.
28 Nëntori mbetet simbol i qëndresës, sakrificës dhe krenarisë kombëtare, një ditë që na kujton se liria dhe pavarësia janë fituar me mund, gjak dhe sakrifica të panumërta.
Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar Ditën e Flamurit!









