Nga Alfrida Marku
Shëngjini, pikërisht në zonën më të banuar e të frekuentuar, rrezikon të kthehet në vend KARANTINE për jo më pak se 1000 të rikthyer në Shqipëri. Gjithçka është e qëllimshme për të dëmtuar turizmin në Lezhë, në këtë sezon që pritet të jetë më i vështiri.
Asnjë informacion nuk jepet nga Institucionet përgjegjëse: pse pikërisht në Shëngjin? Pse në prag të sezonit? Pse të vihet në pozitë biznesi e të dëmtohet turizmi, aseti më i rëndësishëm ekonomik në Lezhë? A janë marrë masat e duhura? Pse të rrezikohet jeta e shëndeti i banorëve? Pse pikërisht në resortin në zonën më të banuar e më shumë të frekuentuar, përgjatë shetitores?
Shqiptarët kanë dëshmuar se jemi popull i kulturuar, e kemi dëshmuar përgjegjshmërinë e korrektësinë edhe gjatë kësaj periudhe. Çdo shqiptar i rikthyer mund dhe duhet të kalojë periudhën 14 ditore të karantinës së detyrueshme në banesën e tij. Në këtë periudhë, kosto e 14 ditëve akomodim është barrë e pa arsyeshme për secilin.
Absolutisht një vendim i tillë, i marrë në fshehtësi, rrezikon jetën e shëndetin e banorëve, dëmton rëndë biznesin lezhjan si dhe vë në dyshim edhe sezonin turistik.
Institucionet përgjegjëse duhet të reagojnë! Autoritetet përgjegjëse duhet të dalin në mbrojtje të banorëve, të sezonit turistik në Lezhë dhe të biznesit lezhjan!
Autorja është Sekretare e Degës së PD, Lezhë