Home Blog Page 13

Ngërçi politik në Kosovë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë: Duhet sa më shpejt një qeveri e aftë për veprim!

0

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul,tha në Prishtinë se Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e aftë për të vepruar, sepse votuesit janë duke pritur formimin e saj tash e 8 muaj. Këtë deklaratë, shefi i diplomacisë gjermane e bëri vetëm një ditë para se Parlamenti i Kosovës të provojë në tentimin e dytë që ta krijojë qeverinë e re me mandatarin Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosja.

“Zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi i luftës 1999 dhe që nga pavarësia në vitin 2008 është një histori e vërtetë suksesi. Për shumë kënd në rajon, Kosova është simbol i demokracisë dhe i një shoqërie të fortë civile. Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muajsh. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë një qeveri stabile”, tha ministri Wadephul në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Angazhim nga të dyja palët për dialogun Kosovë – Serbi

Shefi i diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, tha se Gjermania mbështet dialogun për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por kërkoi angazhim nga të dyja palët.

“Ky proces ka ngecur kohëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, e cila i përmban të gjitha elementet relevante për normalizim duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht, këtë e presim ne nga të dyja palët, dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Për Kosovën kjo nënkupton për shembull hapjen e nevojshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është me rëndësi që politika e provokimit të ndërsjelltë dhe të menaxhimit permanent të krizave të marrë fund.Dialogu për normalizim duhet të vazhdojë me vullnetin për mirëkuptim.Ai është kriter i yni i vlerësimit për qeveritë në të dyja vendet”, tha Johann Wadephul. Sipas tij, Gjermania është e bindur se Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme.

Mbështetje nga Gjermania

“Gjermania është e gatshme që t’iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë, dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023, 2024”, tha kreu i diplomacisë gjermane duke iu referuar zhvillimeve në veri të Kosovës. Ai i vlerësoi lart marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar se Gjermania është investitori më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar.

“Në të gjitha temat që i diskutuam sot bëhet fjalë për sigurinë dhe për të ardhmen e kontinentit tonë. Është mirë që Kosova është në anën tonë dhe ne të gjitha vendet, qofshin anëtare të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar dhe në këtë kuadër, zgjerimi i Evropës është një urgjencë gjeopolitike. Për këtë për herë të parë prej shumë vitesh ka një perspektivë realiste”, tha Wadephul.

Osmani: Thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht bëri thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE.

“Vizita juaj në Kosovë është një dëshmi e qasjes suaj dhe qeverisë së udhëhequr nga kancelari Merz, se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian. Ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë. Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, tha presidentja Osmani. Ajo tha se në këtë kuadër roli i Gjermanisë është vendimtar, duke shtuar se “Kosova është 100 për qind e harmonizuar në politikën e jashtme të BE-së”.

“Ne pajtohemi plotësisht me qasjen e qeverisë së re gjermane që rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita. Kosova është ekonomia më e re evropiane por është dinamike e digjitale. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë. Përderisa Kosova mbetet nën masa të BE-së as dialogu nuk mund të konsiderohet i barabartë”, tha Osmani./DW

“Qëndrojmë me kokën lart”, Rama në Bruksel: Hapëm grup-kapitujt për 14 muaj! Pesë të mirat që sjell zgjerimi sipas kryeministrit

0

Komisioni Evropian po organizon sot, 18 nëntor, Forumin e Zgjerimit të BE, ngjarjen e parë të këtij lloji, kushtuar prioritetit të tij 2024–2029. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grup-kapitullit të fundit të negociatave, vuri theksin pikërisht te zgjerimi dhe avancimi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrave.

“Duhet të rrëfej që duke ardhur këtu sot, e kapa veten duke menduar se çfarë mund të them tjetër për zgjerimin, kam folur aq shpesh për të, sa kam frikë se mund të botoj edhe një libër. Zgjerimi dhe e ardhmja janë të pandashme”, u shpreh ai në nisje të fjalës së tij.

Megjithatë tha se në vend të zgjerimit, preferon fjalën “ribashkim”.

“Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë. Ne i bëjmë këto për veten tonë, brezin tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ne vazhdojmë punën a thua se negociatat janë hapur prej kohësh. Qëndrojmë drejt, me kokën lart pasi për vetëm 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt dhe e kemi vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Në barometrin e fundit europian, Shqipëria ishte në krye të listës me 92% të qytetarëvre të saj besnikë të BE-së”, theksoi kryeministri.

Reshtoi pesë të mira që sipas tij sjell procesi i zgjerimit, si më poshtë:

Ribashkimi shëron plagët historike, rikthen lidhjet e kombeve të ndara me forcë, rikthen identitetin europian të atyre që u mbajtën jashtë me dhunë e jo me zgjedhje.

Zgjeron jo vetëm gjeografinë e BE-së, por të stabilitetit e demokracisë.

Përmbush një premtim të vjetër për ata që luftuan për liri e për të cilët Europa ishte një fener i vërtetë. Por ky premtim i vjetër duhet mbajtur plotësisht.

Sjell prosperitet, zgjerimi është edhe ekonomik. Zgjerohet tregu, ka dinamizëm e energji rinore.

Zgjerimi funksionon, sa herë BE ka futur anëtarë të rinj në familje përfitimet kanë tejkaluar frikën, faktet e ilustrojnë këtë dhe s’ka asnjë arsye pse të ndodhë e kundërta.

Tha se nëse e kundërta e zgjerimit ndodh, kontinenti do ketë ndjenjën e pafuqisë, një Europë që tradhton idenë e themelimit të vet dhe që nuk është e përshtatshme të mbijetojë si lojtar i madh në këtë lojë të re.

Fjalën e tij e mbylli duke iu drejtuar Komisioneres Marta Kos.

“Teksa shkruan historinë me ne, duhet të sigurohet që historia të shkruajë për të në faqet e saj. Antologjia e plotë e një zgjerimi të bërë nga unë, duhet të jetë libri që ajo duhet të botojë. Faleminderit për durimin!”, përfundoi në shenjë mirënjohjeje, numri një i kabinetit.

Forumi i Zgjerimit është pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.

Kujtojmë se të hënën, 17 nëntor, Shqipëria çeli të gjashtë grup-kapitujt në negociatat me BE-në, një fazë që pasohet me plotësimin e pikave të ndërmjetme e deri te objektivi kryesor, anëtarësimi i plotë i vendit në vitin 2027.

Ky moment historik u festua me verë e tortë në kryeqytetin belg, ku Rama mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Ministren daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

Kreu i qeverisë ishte edhe në Hagë, ku takoi homologun e tij, Dick Schoof

Nis punën Komisioni i Reformës Zgjedhore/Ja çfarë deklaruan bashkëkryetarët nga PS dhe PD, Gjiknuri dhe Bylykbashi

0

Ka nisur punën këtë të martë Komisioni i Reformës Zgjedhore, i ngritur për të rishikuar ligjin për zgjedhjet, edhe për shkak të rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Nga mazhoranca, përveç përfaqësuesve të Partisë Socialiste, i pranishëm ishte edhe Tedi Mulaj nga Partia Social Demokrate. Ndërsa nga opozita mungon deputeti i Partisë Mundësia. Gjithashtu edhe 2 anëtarët e tjerë të cilët janë pa të drejtë vote, nga koalicioni “Shqipëria Bëhet” dhe Lëvizja Bashkë, nuk janë të pranishëm, shkruan A2 CNN.

“Është detyrim i Komisionit Europian, sidomos përmbushja e pikës së transparencës së financimeve të partive. Ligji nuk është i vështirë, e bën të vështirë politika”, tha bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri. “Ju bëj thirrje atyre që mungojnë, të marrin pjesë, të kontribuojnë. Të mos e bëjnë debatin jashtë, por në këtë sallë. Ata e kritikojnë sistemin, edhe pse janë këtu pikërisht prej këtij sistemi”.

Ndërsa bashkëkryetari nga radhët e opozitës, Oerd Bylykbashi, tha se topi është në fushën e maxhorancës që të tregojë se reforma ka sukses. “Mund të shtojmë nene pa fund, por për sa kohë Kryeministri del e thotë “nuk e zbatoj ligjin, ligji është kinezëri”, ai nuk ka efekt.  Angazhimi maksimal i opozitës është që të angazhohet që të gjitha problemet e adresuara nga OSBE/ODIHR të arkivohen si të zgjidhura. Praktika ka treguar se kemi ndërhyrë edhe në ligje të tjera, përveç atij të zgjedhjeve. Nëse do të jetë e nevojshme duhet të shkojmë atje për t’i zgjidhur. Problemet e zgjedhjeve janë probleme keq qeverisje. Një pjesë e problemeve nuk zgjidhen me kod zgjedhor”, tha ai. 
Në mbledhjen e tij të parë, socialistët nuk i nxorën të gjitha kartat mbi tavolinë, por treguan se janë të hapur për çdo çështje, edhe përtej rekomandimeve të ODIHR-it.

Demokratët, më shumë sesa optimistë, janë skeptikë për besnikërinë e socialistëve sa i përket konsensusit. Ndryshimet kushtetuese pesë vite më parë, të bëra në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, konsiderohen si një precedent i rrezikshëm.

Opozita listoi çështjet që janë shqetësuese: listat, shitblerja e votës, sanksionet penale deri te vota e emigrantëve, por me një objektiv të qartë — rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.

Folësit e shumtë nga radhët e opozitës dhe akuzat e tyre ndaj mazhorancës vunë në lëvizje edhe socialistët, të cilët mbrojtën rezultatin e 11 majit, shkruan A2 CNN.

Deputeti demokrat Arjan Ndoi tregoi arsyet pse opozita nuk e braktis Parlamentin.

Pavarësisht mungesës së besimit nga ana e demokratëve, socialistët synojnë t’i mbyllin ndryshimet në Kod brenda vitit 2026.

Në konstituimin e komisionit të posaçëm mungoi anëtari i Partisë së Mundësisë, ndërsa të dy bashkëkryetarët vendosën t’i drejtohen ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias me një letër për ekspertizën e tyre. Politika shqiptare ka ende nevojë për arbitër ndërkombëtarë

“Berishën se besojnë as deputetët e tij”, Dashnor Sula: I ka çuar në vëllavrasje, PD është duke falimentuar

0

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar protestën e mbajtur një ditë më parë përballë Kryeministrisë. Ai u shpreh në një intervistë në “Top News” se protesta e djeshme pasqyroi qartë mosbesimin e thellë që ekziston edhe brenda vetë radhëve të Partisë Demokratike, duke theksuar se nëse nuk besojnë deputetët, atëhere nuk ka se çfarë të pritet nga qytetarët.

“Po ça të presësh kur nuk besojnë deputetët që janë rrethi më i ngushtë çfarë pret nga qytetarët? Nuk ke çfarë te thuash, ajo ishte protestë. Unë ndjej keqardhje ku është katandisur PD dhe nuk e kam thënë e kam thënë ka kohë, me vite. E di pse u bënë vite? Nëse do të hapni arkivat më 9 shtator unë kam dalë i parë dhe kam kërkuar sakrificën që duhet të bëjë Berisha dhe familja e tij për të shpëtuar partinë demokratike.

Momenti që Berisha të vazhdojë do i fusin në konflikt vëllavrasër në PD dhe kështu rezultoi. Në 8 janar një pjesë blindoi zyrat, me gjithçka, me hekra dhe pjesa tjetër sulmonte vëlla me vëlla. Janë pasoja. Tani duhet të kuptojmë një gjë kjo është çmenduri kolektive që ka kapur PD është e tmerrshme. PD është si një biznes që po falimenton dhe kjo është e tmerrshme. PS po lulëzon, pavarësisht problematikave. QË të luftosh duhet të bësh një stërvite, kurse këta nuk stërviten, këta shohin si luftojnë njëri-tjetrin.

Kush është kundër meje e kush flet më bukur, kush është servil, e kush do më zere vendin. Foltorja numër 1 që bëri Berisha ngjalli shpresë, por u deformua totalisht. Aty ka njerëz që nuk i votojnë as njerëzit e vet. Pse nuk fitojnë në Kavajë m ? Pse nuk ka banda në Kavajë, por janë njerëzit aty. Fitoi në Fushë-Krujë, aty janë bandat më të mëdha. Edhe Berisha nuk duhet të largohet, duhet të jetë Ervin Salianji, Tabaku, Aliahmeti figura që nuk kanë njolla.”, tha Sula.

Sot shkon në SPAK për 21 janarin, Berisha dje për mediat: Ishte vrasje shtetërore pa dashje, hetimi është politik

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK për t’u pyetur për dosjen e 21 janarit.

Gjatë një konference për shtyp ai konfirmoi praninë e tij përballë prokurorëve që po hetojnë këtë çështje, ndonëse tha se hetimi është politik.

Berisha tha se “21 janari” klasifikohet si “vrasje shtetërore pa dashje”, ku efektivët e Gardës së Republikës kanë vepruar sipas ligjit të miratuar nga vetë socialistët.

“Roja i Gardës vepron mbi bazën e ligjit. Ligji thotë “po të gjuajti, breshëri në ajër, po vahdoi të të gjuajë, te këmbët, pastaj neutralizim”. Ky është ligji i bërë nga socialistët. Në qoftë se fillimisht u tha se janë plumba nga afër, çka linte për të nënkuptuar që ishin demonstrues që kishin gjuajtur njeri tjetrin, më vonë u tha se ajo ekspertizë nuk ishte e drejtë, por janë nga distanca. Atëherë, ato janë plumba të armëve të shtetit, të përdorura në përputhje me rregullat dhe ligjin, pra janë vrasje shtetërore jo me qëllim, pa dashje. Ky është vlerësimi im. Edhe këto quhen vrasje shtetërore. Të njëjtën gjë kam thënë edhe për Gërdecin se mbikqyrjen e kishte shteti”, tha Berisha.

Ai shtoi më tej se “nesër do jem në SPAK. Ndonëse e deklaroj që sot që ky është një hetim politik. Kjo çështje është hetuar me ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, por mua nuk më kanë pyetur një herë. E dini pse? Se isha njeriu i rrethuar. Tani që më thërrasin, do shkoj. Kam qenë 5-6 orë në rrethim, në përpjekje për të pushtuar kryeministrinë”.